Pas reagimeve të shumta dhe presionit publik, Qeveria e Kosovës është zmbrapsur lidhur për tiketën ngjitëse në vlerë pesë euro. Lajmin për pezullimin e marrëveshjes e ka bërë të ditur nënshkruesi i saj, zëvendësministri Hysen Durmishi. Por, si erdhi deri te marrëveshja e pezullimi i saj?

Para dy jave, zëvendësministri i Infastrukturës, Hysen Durmishi, kishte vënë firmën në një marrëveshje për tiketën ngjitëse për vetura, e që i siguronte një kompanie të krijuar para tri vitesh e me vetëm tre punëtorë, qarkullim vjetor në vlerë rreth 2 milionë euro.

Ministria e Mjedisit, Planikifimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte lidhur marrëveshje me “Auto Control Kosova”, për ofrimin e tiketës ngjitëse që do të konfirmonte kontrollimim teknik të automjeteve.

Lidhja e kësaj marrëveshje thuhej se do të mundësonte anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit e Gjelbërt, meqë thonin se do të ndikonte në zvogëlimin e makinave të paregjistruara në vend.

Tiketa do të kushtonte pesë euro dhe ishte paraparë që të fillonte së zbatuari nga shtatori i këtij viti.

Për këtë marrëveshje, Durmishi kishte thënë se e ka gjetur në tavolinë dhe se s’ka pasur rrugë tjetër pos që ta nënshkruaj.

Madje, për të ia kishte gjuajtur fajin ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt.

“Ministria e Pal Lekajt, e ka përgatitur këtë proces për një kompani të vetën. Kompania është shpallur e papërgjegjshme nga komisioni vlerësues. E kur ka fituar kompania që këta nuk kanë dashtë me ia dhanë këtë projekt, sekretari e ka anuluar raportin e komisionit vlerësues, gjë që është shkelje ligjore. Pas kësaj, kompania e cila i ka plotësuar kriteret ka bërë kërkesë për interpretim ligjor në Zyrën e Kryeministrit”, është shprehur Durmishi.

“Interpretimi ligjor është se ky vendim i sekretarit është antiligjor dhe është nul, i pavlefshëm. Kjo është arsyeja pse unë e kam nënshkruar këtë marrëveshje. Po të kishte anulim, unë nuk do ta nënshkruaja”, kishte deklaruar ai te “Dpt te Fidani”.

Por, i njejti sot ka njoftuar se e ka pezulluar marrëveshjen. Ai ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik ka gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën.

“Unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: Raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmoniziar me zyret ligjore të MI, MAP dhe MD. Vendimin përfundimtar do ta marrim pas rishikimit të funksionimit të sistemeve dhe standardeve të kontrolleve të brendshme të ministrisë”, ka shkruar Durmishi në Facebook.

Pas pezullimit të marrëveshjes, është deklaruar edhe Ministri Liburn Aliu. Ai tha se vendimi do të shqyrtohet në hollësi.

“Sapo është marrë vendim që të pezullohet si vendim dhe do ta shqyrtojmë në hollësi mënyrën sesi ka ardhë deri te ky vendim…Prej interpretimeve ligjore, edhe interpretimet nga auditori, deri te momenti i nënshkrimit…Diçka që mund t’i sigurojë është që qytetarët nuk do t’i paguajnë 5 euro”, tha Aliu para deputetëve.

Në rrjete sociale, menjëherë kanë nisur thirrjet për dorëheqjen e Durmishit.

Analisti Rron Gjinovci i ka kërkuar Durmishit të jap dorëheqje, duke thënë se ai është aty për t’i lexuar me kujdes të gjitha dokumentet, para se t’i nënshkruajë.

“Dorëheqje zotni! Ti nuk je aty për sy të zi, por me i lexu me kujdes të gjitha dokumentet. Kështuqë dorëheqje! 👋”, ka shkruar Gjinovci.

E Nol Nushi i PSD’së ka publikuar reagimin e Durmishit, duke thënë se ky është reagimi tipik i dikujt “që nxinet me pelë për dore”.

Tutje, Nushi ka deklaruar se Durmishi duhet të shkarkohet, meqenëse, siç ka thënë, është zënë në tentativë të hapur korrupsioni e zhvatje.

“Hyseni duhet me u shkarku. Eshte zene ne tentative te hapur korrupsioni e zhvatje. Sot e ka pezullu nje kontrate te cilen para 2 javesh e mbrojke me fanatizem.

Ne nderkohe jane arrestu, lendu, burgose, shajte e ofendu krejt ata qe reagonin ndaj ketij akti korruptiv!”, ka shkruar Nushi.

Ndryshe, partia e Nushit ka mbajtur qe dy aksione kundër kësaj tikete.

I fundit aksion është mbajtur sot, ku aktivistët e kësaj partie kanë vendosur fotografinë e zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi në monedhën e “5 eurove”.

“Pas presionit të madh publik, pas aksionit të fuqishëm dhe guximit të mediave, zv.ministri Durmishi vendosi ta pezullojë. Kjo erdhi si rezultat i asaj që u zbulua se aty po bëhej hajni dhe krijim i monopolit”, tha anëtarja e PSD-së, Teutë Rrusta.

“Pezullimi supozon se aty është një shkelje dhe dëm i bërë. Ministri Aliu duhet të deklarohet, Qeveria duhet të deklarohet për këtë skandal, Durmishi duhet të shkarkohet”, shtoi ndër të tjera.