Si e ndërtoi perëndimi një shtet të dështuar në Kosovë?

Që prej ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, Kosova ka qenë subjekt i një shkalle të paparë të mbikëqyrjes ndërkombëtare. UNMIK-ut, EULEX-it dhe KFOR-it iu janë dhënë kompetenca të gjera dhe në thelb jo-llogaridhënëse, për të mbajtur rendin dhe ligjin dhe të rregullojnë ekonominë, gjyqësorin dhe sistemin politik të Kosovës. Në terma për kokë banori, Kosova ka marrë ndihmën më të madhe të shpërndarë ndonjëherë në një vend në zhvillim: bashkësia ndërkombëtare ka vënë në dispozicion njëzet e pesë herë më shumë para dhe pesëdhjetë herë më shumë trupa në baza për kokë banori në Kosovën e pas luftës sesa në Afganistan, transmeton “Zeri.info”

Megjithatë, pavarësisht nga hiperbolizimi dhe shkalla e jashtëzakonshme e projektit të ndërtimit të shtetit, Kosova aktualisht vuan nga një grup paralizues i problemeve, dhe mban shenjat dalluese të një shteti të dështuar.

Në mes të tetorit 2014 dhe marsit 2015, deri në shtatëdhjetë mijë kosovarë, përfshirë edhe vëllain e kryeministrit aplikuan për azil në BE. Shumica dërrmuese e rasteve janë refuzuar, pasi shkaku i eksodit ka qenë një dëshirë për t’i shpëtuar papunësisë marramendëse sesa persekutimit. Papunësia në mesin e të rinjve në Kosovë është 60.2 për qind, sipas Bankës Botërore. Papunësia mesatare në BE është 10.1 për qind, por në Kosovë papunësia në përgjithësi qëndron në 35.1 për qind, më keq se në Jemen dhe Palestinë. Perspektivat e rritjes ekonomike nuk janë ndihmuar nga fakti se investimet e huaja direkte në Kosovë janë në rënie; pa  600€ milionë në vit që dërgohen në Kosovë nga diaspora-një shifër që përfaqëson gjysmën e produktit të brendshëm bruto- situata në vend do të ishte shumë më e keqe.

Në krye të problemeve të saj ekonomike, gjatë dy viteve të fundit një varg i polemikave kanë ndikuar që Kosova të zhytet në krizë. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014, dy partitë më të mëdha formuan një koalicion të madh; ndërkohë që pritej që kjo të ofronte një shkallë të stabilitetit, e kundërta ka ndodhur. Qeveria ka përdorur shumicën e saj dërmuese në Parlament për të çuar përpara një sërë masash thellësisht jopopullore, të tilla si marrëveshje me Serbinë për një Bashkësi të komunave serbe në Kosovë dhe një marrëveshje të re të demarkacionit me Malin e Zi. Të pafuqishëm për të bërë ndryshime me mjete parlamentare, opozita në mënyrë rutinore ka hedhur gaz lotsjellës në parlament. Protestat në rrugë rregullisht kanë rezultuar me trazira.

Sondazhi i fundit i UNDP-së për Kosovë vuri në dukje se vetëm 7 për qind e kosovarëve janë “të kënaqur” ose “shumë të kënaqur” me drejtimin e tanishëm politik të Kosovës, ndërkohë që 70 përqind ishin “të pakënaqur”.

Në një nivel më të gjerë, projekti për ta bërë Kosovën një anëtar të plotë i komunitetit ndërkombëtar ka ngecur. Me të hyrë në Kosovë, vizitorët marrin një mesazh me tekst që deklaron, “Mirë se vini në Slloveni!”, transmeton “Zeri.info”.

Përveç përpjekjeve ngurruese për të zbuluar një imazh të veçantë të Kosovës dhe ta krijojnë atë si një shtet të njohur, ndërkombëtarët janë përfshirë në një projekt më të ligë. Që nga viti 1999 ata e kanë bërë në masë të madhe një sy qorr ndaj aktiviteteve të rrjetit kriminal të Kosovës.

Pavarësisht nga prania e UNMIK-ut dhe EULEX-it, korrupsioni në Kosovë është përshkruar në një raport nga Këshilli i Bashkimit Evropian si “i gjithëpranishëm”.

Andrea Capussela, ish-drejtor ekonomik në Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë, e përshkruan gjendjen si “një marrëdhënie incesti” mes ndërkombëtarëve dhe elitave kriminale, transmeton “Zeri.info”.

Kjo gatishmëri për të toleruar korrupsionin dhe për të ruajtur imazhin e internacionalizmit liberal është veçanërisht e dukshme në lidhje me mbështetjen shumëvjeçare të ofruar për Hashim Thaçin, liderin e UÇK-së gjatë ndërhyrjes së NATO-s. Ndërsa Thaçi morri ftesë nga Presidenti Obama për lutjet e mëngjesit në Shtëpinë e Bardhë dhe u përshkrua nga zëvendës presidenti amerikan Joe Biden si “George Washingtoni i Kosovës”, në vitin 2010 ai u cilësua në një raport të Këshillit të Evropës, si një nga “lojtarët kyç” në orkestrimin e “strukturave mafioze të krimit të organizuar” me bazë në Drenicë. Grupi i tij u akuzua për trafik droge, kontrabandë të njerëzve, reketim, vrasjet politike dhe, më tmerrësisht, tregti të organeve. Sigurisht aspekti më i mallkuar i raportit, megjithatë, ishte keqardhja e dukshme aty për faktin se akterët ndërkombëtarë në Kosovë duket të kenë pasur njohuri në lidhje me këto aktivitete, por zgjodhën të mos veprojnë.

Kushtetuta e Kosovës ka premtuar se shteti i ri i pavarur “do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës”. Duke pasur parasysh numrin e madh të kosovarëve që kërkojnë azil në mbarë BE-në, dhe fakti që presidenti i tanishëm është akuzuar nga Këshilli i Evropës si udhëheqës i një rrjeti kriminal kontinental të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore, tregti të seksit dhe shpërndarjen e heroinës, ky qëllim duket qartë që nuk është përmbushur. Marrë me shkurtime nga, “The National Interest”./Zeri/.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT