Nuk dihet nëse ka qenë një rastësi apo strategji e tyre, por Vetëvendosje ia ka hedhur poshtë kërkesën për postin e Presidentit Lidhjes Demokratike të Kosovës në kohën kur tashmë këto dy parti kishin çuar mjaftë larg planet për ta qeverisur bashkë vendin. Teksa po punonin në program, zyrtarë të LDK’së vazhdimisht kanë theksuar se marrëveshja do ta përfshijë edhe postin e Presidentit, por Glauk Konjufca tha se janë habitur kur Mustafa këtë e ka kërkuar në takimin e fundit me Albin Kurtit.

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një intervistë në emisionin Pressing të T7 ka ndarë detaje rreth takimit dy pjesësh që kanë pasur Isa Msutafa dhe Albin Kurti në përpjekjen për arritjen e një koalicioni për ndërtimin e institucioneve të reja.

Konjufca ka thënë se në pjesën e parë të takimit, Mustafa dhe Kurti ishin pajtuar për atë se si do të ndaheshin ministritë mes dy partive. Megjithatë thotë se në pjesën e dytë të takimit mes dy liderëve pas një pauze të shkurtër, Vetëvendosje është befasuar nga kërkesa e LDK’së që të marrë edhe postin e presidentit të vendit si pjesë të kësaj marrëveshje politike.

“Marrëveshja nuk u finalizuar për arsye që në një farë mënyrë LDK e kushtëzoi këtë marrëveshje për qeverinë dhe për kuvendin edhe me një pozitë tjetër, që është pozita e presidentit. Pra ne në një farë mënyre nuk e prisnim këtë gjë, sepse këto kanë qenë zgjedhje parlamentare, dhe pas këtyre zgjedhjeve del qeveria. Por presidenti është plotësisht jashtë kësaj pune. Nuk është i përputhshëm me zgjedhjet parlamentare. Është një pozitë krejtësisht e pavarur”, ka thënë Konjufca në Presssing.

Konjufca ndër të tjera ka thënë se nga një kërkesë e tillë e LDK’së për ta futur në pakon e negociatave edhe postin e presidentit ka qenë e habitshme për kreun e partisë, Albin Kurtin.

Kjo kërkesë e LDK’së për të marrë postin e presidentit në fakt ka qenë edhe mospajtimi me të cilin është mbyllur takimi i fundit mes dy liderëve.

Duket se këtu e ka futur në kurth pak LDK’në dhe Isa Mustafën me përvojë të gjatë politike. Mohimin për postin e Presidentit ua bën pikërisht në kohën kur dy partitë kishin shkuar shumë larg në bisedimet dhe zotimet për të bërë koalicion dhe kur për këtë kishin marrë edhe mbështetje të fortë ndërkombëtare. Nuk dihet se si do të rrjedhin gjërat por LDK do ta kishte të vështirë ta shpjegonte tërheqjen nga marrëveshja me VV për shkak të Presidentit, kur subjekti që e drejton Kurti i ka ofruar gjysmën e ministrive dhe postin e kryeparlamentarit ndërkohë që fituesit të zgjedhjeve i takon Kryeministri dhe 5 ministri. Dy ministri janë për pakicat.

Pas intervistës së Konjufcës dhe përplasjeve në distancë e përshtypjes së krijuar në opinion publik se koalicioni po shkon drejt dështimit si pasojë e postit të presidentit, LDK kishte dalur me një komunikatë ku shprehte gatishmërinë për vazhdimin e negoaciatave.

Por, Isa Mustafa në vazhdimësi ka potencuar se në rast të arritjes së një koalicioni me Vetëvendosjen do të merren vesh edhe rreth asaj se kujt do ti takojë presidenti.

Një gjë të tillë Isa Mustafa e kishte thënë në konferencën për media të 8 nëntorit, pas një mbledhje që kishte pasur me nënkryetarët e partisë së tij.

Kreu i LDK’së në mënyrë decidive kishte thënë se do të merren vesh për këtë çështje, se kujt do t’i takojë presidenti, por që emri i kandidatit do të bëhet i ditur kur të afrohet fundi i mandatit të Hashim Thaçit.

“Tani do të merremi vesh edhe kujt i takon të propozojë kandidatin për president në të ardhmen. Por ai kandidat nuk do të propozohet tash, por kur të vjen koha. Ndërkaq tani duhet që edhe atë çështje ta zgjidhim mes veti”, kishte potencuar Isa Mustafa, raporton Gazeta Express.

Ndërkohë po atë ditë Mustafa kishte mohuar se ka pretendime që të jetë president i Kosovës, duke shtuar se emri i tij ishte bërë temë nga të tjerët.

Intervista e Konjufcës ka qenë edhe një prej arsyeve se tashmë ka një ndërprerje të serive të takimeve mes Mustafës e Kurtit, meqë deklarimet e deputetit të zgjedhur të VV’së kanë irrituar në masë të madhe krerët e LDK’së.

Pritet të shihet se si do të rrjedhin gjërat në vazhdimësi, meqë presioni ndërkombëtar për krijimin e qeverisë sa vjen dhe shtohet./GazetaExpress/