SHUMË FJALË RUMUNE KANË PREJARDHJE PREJ SHQIPES

Intervistë me akademikun Grigore Brancus

GRIGORE BRÂNCUȘ (BRËNKUSH) lindi më 20 mars 1929, Komuna Peshtishan, rrethi i Gorzhit, Rumani, gjuhëtar dhe filolog i shquar, albanolog.

Ka kryer studimet e larta për filologji pranë Universitetit të Bukureshtit (1953). Studime specializimi në Shqipëri (1958-1959, 1965, 1972). Ne vitet 1973-2001 ka qenë shef i katedrës së gjuhës rumune në Fakultetin e Filologjisë së Universitetit Shtetëror të Bukureshtit. Zv.dekan i fakultetit (1970-1972). Doktor në filologji që nga viti 1968 me tezën “Marrëdhënie gjuhësore rumune-shqiptare. Fjalori”. Studime kushtuar disa problemeve të historisë së gjuhës rumune (elemente të përbashkëta me gjuhën shqipe), studime mbi gjuhën letrare rumune, mbi dialektologjinë Sinteza të gjuhës rumune(1972), në bashkëpunim; Gjuha rumune moderne. Morfologjia e foljes, 1975. Bashkëpunëtor në Fjalorin e gjuhës rumune moderne. Në fushën e filologjisë është dalluar përmes botimit të shkëlqyer të veprës monumentale Etymologicum Magnum Romaniaenga B.P. Hashdeu. (3 vëll., 1972-1976). Fjalori autokton i gjuhës rumuneElementet e përbashkëta rumuno-shqiptare, 1987, Studime rreth fondit trako-dak të gjuhës rumune,1995; (versioni shqip përkthyer nga Luan Topçiu, Tiranë 2009) Përkime gjuhësore shqiptaro-rumune, 2001. Hyrje në historinë e gjuhës rumune, 2002 etj. etj

Profesor, ju lutemi fillimisht na tregoni se si e zbuluat pasionin tuaj për gjuhësinë?

Grigore Brancus

Pasionin tim për gjuhësinë e kam zbuluar shumë herët. Kam lindur në shtëpinë e një prifti. Im atë kishte studiuar teologji në vitin 1900, por, në të njëjtën kohë dhe letërsi. Kishte pasur fatin që të ndjekë ligjëratat e Maiorescut, Ovid Densusianu-ut, profesorë të mëdhenj të fillimit shekullit XX pranë Fakultetit të Letërsisë dhe Filozofisë në Bukuresht. Ai mbante mend shumë mirë Bogdan Petriceicu Hasdeu-un, i cili, siç e dimë, u nda nga jeta në vitin 1907, në Campina, dhe kishte një admirim të madh për këta dijetarë. Në shtëpinë tonë kam gjetur, kur isha në shkollë të mesme, librat e Hasdeu-t “Magnum Etymologicum Romaniae”, “Fjalët e pleqve” dhe të tjera. Hasdeu ka qenë, siç dihet, dijetari i parë rumun që iu përkushtua me guxim të madh, por edhe me sukses, lëmisë më delikate të gjuhësisë rumune: substratit trako-dak, gjuhës pleqërishte të të parëve tanë dakë, që u pushtuan dhe u kolonizuan nga romakët, dhe, pas një periudhe të gjatë dygjuhësie, kanë mësuar latinishten, por në të njëjtën kohë, ata ruajtën shumë elemente të gjuhës vendase, autoktone, d.m.th. të dako-trakishtes. Kjo fushë e errët e gjuhësisë rumune, që merret me elementin trako-dak të gjuhës rumune, më ka pasionuar gjithë jetën. Kam pasur, qysh në shkollë të mesme, një prirje të veçantë për zbulimin e zonave më të errëta, më delikate të gjuhësisë rumune. Isha student në Fakultetin e Letërsisë në vitin 1948 dhe kam pasur shansin të kem kontakt me një profesor të madh: Alexandru Rosetti.

Di se ju keni pasur mbështetjen dhe simpatinë e gjuhëtarëve më të rëndësishëm rumunë. Si kanë ndikuar ata në karrierën tuaj të ardhshme shkencore në ballkanistikë?

Profesori im i parë që e kam dëgjuar, kur isha student në vitin e parë të Fakultetit, ishte një asistent i ri i profesor Rosetti-it, Ion Coteanu, i cili kishte studiuar në Francë, dhe qysh nga ajo kohë ne u bëmë miq, madje dhe miq të mirë. Prej tij kam mësuar shumë, sepse ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe inteligjent dhe kishte një kulturë perëndimore, e cila i dha atij mundësinë që të ishte shumë aktiv në një fushë kaq delikate siç është gjuhësia. Ai iu qas të gjitha degëve të gjuhësisë rumune: historisë së gjuhës, dialektologjisë, gjuhësisë bashkëkohore rumune, gjuhës letrare etj. Ishte pikërisht ai që më ka prezantuar në vitin e parë të universitetit, me profesor Rosetti-in, i cili, atëherë, ishte rektor i universitetit. Kur e kam përshëndetur për herë të parë zotin profesor Rosetti, ai më ledhatoi dhe më pyeti: “Pse jeni kaq i dobët?”. Ishin vitet e zisë pas luftës, dhe, pas rreth një jave, dikush erdhi dhe më solli një triskë ushqimi për mensën e profesorëve të fakultetit, nga ana e rektorit. Kjo ishte një metodë që Rosetti përdorte për të ndihmuar të rinjtë që mendonte se kishin të ardhme në fushën e hulumtimit shkencor, veçanërisht në atë të gjuhësisë. Ky vakt i dytë që sigurova në lokalin e fakultetit, sepse një vakt e kisha të sigurt në konvikt, më bëri të braktis mendimin tim që të largohesha nga Fakulteti i Letërsisë, për të shkuar te Fakulteti i Mjekësisë, ku doja të shkoja fillimisht. Dhe mbeta student në letërsi. Në vitin e tretë të universitetit, madje edhe më herët, zoti Rosetti më propozoi mua postin e asistentit pranë Departamentit të Gjuhësisë. Isha atëherë ndoshta më i riu në universitet, në vitin e tretë u rekomandova për të punuar pranë departamentit të gjuhës. Ishte koha kur kishte një mungesë të madhe të pedagogëve, më të vjetrit i hoqën, disa i burgosën, të tjerët i dëbuan nga universiteti, kështu që ata kishin nevojë për kuadro të reja, siç thuhej asokohe. Kam qëndruar në vitit e tretë dhe të katërt në katedër, duke punuar tej mase në të gjitha disiplinat e gjuhësisë rumune, krahë atyre profesorëve të mëdhenj: Rosetti, Iorgu Jordan, Al. Graur, Ion Coteanu dhe të tjerë. Fatkeqësia ishte që në fund të vitit të katërt, kur po përfundoja fakultetin, ndodhi një goditje e tmerrshme politike në universitet. Rosetti u përjashtua në vitin 1952 dhe në qershor u përjashtuan edhe profesorët Al.Graur, I. Coteanu. Për ironi të fatit, edhe unë, për shkak të biografisë së keqe, si i biri i një prifti, i një prifti kulak, më përjashtuan nga fakulteti dhe nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Rumani. Pra nuk kisha më asnjë mundësi të regjistrohesha në asnjë fakultet. Iu rikthyen kësaj mase shumë të ashpër pas shtatë apo tetë muajsh, në sajë të një profesori të madh, akademikut Ilie Murgulescu, profesor kimie, i cili ishte asokohe ministër i Arsimit. Shkova tek ai dhe i shpjegova gjithçka që më kishte ndodhur dhe menjëherë e kthyen mbrapsht masën aq të ashpër ndaj meje në qershor të vitit 1952. Nuk u pranova më si asistent i ri në universitet, por më rekomanduan arsimin e mesëm. Mbërrita në Brashovë si mësues, në një shkollë të mesme për vajza. Atje, për fatin tim të mirë, kam lëçitur letërsi. Kam lexuar shumë për sa kohë qëndrova në Brashovë. Pata fatin që në shtëpinë e një kolegeje gjeta një bibliotekë mjaft të pasur me letërsi rumune, veçanërisht nga periudha midis dy luftërave botërore, të cilën nuk e kishim studiuar në universitet. Ishte një zonë e ndaluar për studentët dhe nuk ishte shkruar asgjë për këtë letërsi, sepse nuk përkonte me filozofinë marksiste. Pas një viti e gjysmë, në nëntor 1954, u riktheva si asistent në Universitetin e Bukureshtit, falë po atij profesori të madh, Ilie Murgulescu, ministër i Arsimit. Kjo ndodhi në vitin 1954. Nga viti 1958 hulumtimet e mia dhe preokupimet e mia të posaçme në gjuhësi u drejtuan veçanërisht nga gjuha e vjetër, gjë që e kisha filluar gjatë kohës kur isha student, kah zona më e errët e historisë së gjuhës rumune. Më tërhiqte, më pasiononte kjo zonë që ishte tejet e vështirë për “ta prekur”. Dhe në qershor të vitit 1958, Rosetti arriti të siguronte për mua një bursë për të studiuar në Shqipëri. Dhe më 1 qershor 1958 unë mbërrita në Tiranë.

Gjatë periudhës 1958-1965 keni kryer dy specializime në Shqipëri, me ç’rast keni hulumtuar në vend marrëdhëniet e ngushta mes të dy gjuhëve, rumanishtes dhe shqipes. Ju lutem, na tregoni se si ka qenë bashkëpunimi juaj me mjedisin shkencor shqiptar.

Kam qëndruar një vit në Tiranë, ku kam pasur avantazhin se aty, e vetmja metodë që mund të përdorej me sukses, ishte ajo e krahasimit me gjuhën shqipe, gjë që i përgjigjej pasionit tim për lidhjet e rumanishtes me shqipen, fushë e cila të siguronte një lloj suksesi në zonën e errët të substratit të rumanishtes. Them se kam pasur fat në Tiranë, sepse, që ditët e para kam hyrë në kontakt me profesorë të mëdhenj. Në radhë të parë me profesor Eqrem Çabej (1908-1980), gjuhëtar dhe personalitet i kulturës shqiptare, i mënjanuar politikisht; me të moshuarin Aleksandër Xhuvani (1880-1961), me origjinë arumune nga e ëma, fakt të cilin njerëzit nuk e njohin. U takova edhe me Mahir Domin (1915-2000), gjuhëtar shqiptar. Kurse me Xhuvanin, i cili m’u bë një mik i afërt, kam edhe një korrespondencë të bukur. Ai vinte shpesh në hotel “Dajti”, ku unë rrija, dhe më ftonte të bënim shëtitje nëpër qytet dhe në rrethinat e tij. Ai ishte zëvendëskryetar i Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe kishte një makinë në dispozicion. Një herë, në një mbrëmje e pyeta: “Zoti profesor, si shpjegohet kjo dashuri e juaja për rumunët, sepse këtë gjë nuk e manifestoni vetëm me mua?”. Dhe ai më tha me zë të ulët, mbase për të mos e dëgjuar shoferi: “Nëna ime ishte arumune”. Unë nuk ia thashë tjetërkujt këtë gjë, sepse besoj, se edhe ai e mbante sekret, por ai ishte një dashamirës i madh i rumunëve. Ishte i ditur, kishte lexuar shumë dhe ishte edhe një patriot i madh shqiptar. Një herë isha së bashku me Aleksandru Rosetti-n në një ekskursion nëpër Shqipëri, duke qenë i ftuar nga qendrat shkencore shqiptare dhe kërkova të shkonim edhe në Elbasan të vizitonim varrin e Xhuvanit. Ai vdiq në moshën 81-vjeçare, dhe ne, ndërkohë, kishim përgatitur, me insistimin tim dhe të Rosetti-t, i cili ishte anëtar i Akademisë Rumune, pranimin e tij si anëtar korrespondent i huaj i Akademisë Rumune. Por nuk arriti që ta gëzonte këtë nderim, sepse vdiq papritur. Duke iu rikthyer kujtimeve të Tiranës, kam pasur një shans të madh: u pëlqeva atyre profesorëve, më pranuan qysh në fillim, sepse kam qenë një njeri shumë i çiltër, i hapur, nuk kam pasur manifestime politike të asnjë lloji, dhe kështu ata më pranuan dhe më ftonin në zyrën e tyre. Punonim, siç i thonë fjalës, në të njëjtën zyrë me Çabejin, me Xhuvanin dhe me Domin. Ky ishte një nder i madh, një favor për mua. Eqrem Çabej punonte atëherë në një edicion të “Mesharit” të Gjon Buzukut, teksti i parë në gjuhën shqipe, i vitit 1555, të cilin e shtypëm në Bukuresht, në Shtëpinë Botuese të Akademisë. Unë kam mbikëqyrur botimin e këtij teksti në gjuhën shqipe, i cili ishte një transkriptim i dorëshkrimit të Vatikanit. Kam shkruar për këtë botim të Çabejit në revistat tona. Pra, ky ishte avantazhi im, se kam qëndruar për rreth një vit afër këtyre dijetarëve të shquar dhe mund t’i pyesja dhe të bazohesha vazhdimisht te njohuritë e tyre. Por, në të njëjtën kohë, ata vetë kanë përfituar nga prania ime për të marrë informacione për sa i përket gjuhës rumune. U interesonte gjuha rumune, Xhuvani dinte mirë rumanisht, Çabej lexonte edhe ai rumanisht, por, sigurisht, informacionet që lidheshin me detaje të kësaj gjuhe, me strukturat e brendshme, me trajtat popullore të lashta, mundën t’i merrnin prej meje. Pra, me pak fjalë, një vit i kaluar në të njëjtën zyrë me tre dijetarë të mëdhenj ka qenë për mua një rast i jashtëzakonshëm për formimin tim si gjuhëtar. Aty ndoqa jo vetëm ligjëratat e Çabejit dhe të Domit, por edhe ato të dijetarëve të tjerë, që ishin profesorë në atë kohë. Me Shaban Demiraj ishim miq të mirë dhe shkoja shpesh në leksionet e tij. E kam studiuar herë pas here Spiro Floqin, një specialist i mirë i sintaksës, ligjëratat e Domit më kanë pëlqyer. Ai dinte mirë rumanisht dhe kishte aftësinë e krahasimeve të strukturave të brendshme të rumanishtes dhe shqipes. Më kanë interesuar shumë edhe ligjëratat e folklorit. Zakonisht, qëndroja orë të tëra në zyrën folkloristëve shqiptarë. Kisha miqësi të ngushtë me Qemal Haxhihasanin, i cili ishte një folklorist i madh. Kjo fushë atëherë udhëhiqej nga një njeri i përkrahur politikisht, Zihni Sako, i cili kishte qenë partizan, por ishte i ditur dhe i interesuar. Një ditë, Sako më pa duke lexuar tekstet e Holger Pedersen-it (1867-1953), i cili ka shkruar një libër të admirueshëm rreth vitit 1895, “Albanesische Texte mit Glossar”. Tekstet ishin marrë nga jugu i Shqipërisë, nga Tepelena. Mua më pëlqente ky libër, sepse më jepte informacione në lidhje me të folmet e jugut të Shqipërisë, të cilat kishin kontingjente më të mëdha përkimesh me elementet rumune, siç ishte e folmja fërshëriote. Fërshëriotët, arumunë nga Shqipëria, të grumbulluar, kryesisht, në jugun e Shqipërisë dhe në veri të Greqisë, kishin ndikime nga shqipja e jugut, ishin ndikime reciproke, dhe, pikërisht, kjo gjë më interesonte. Është botuar disa vite më parë “Atlasi gjuhësor i Shqipërisë”, në të cilin punohej qysh atëherë. Një miku im, Jorgji Gjinari, një gjuhëtar shumë i mirë, i cili kishte studiuar në Rusi, së bashku me një specialiste ruse në albanologji, e ndjera Olga Desnickaia, ishin nismëtarët e kërkimeve në dialektologjinë shqiptare dhe kishin bërë shumë kërkime në terren. Këto kërkime ishin të inkurajuara edhe nga Çabej, Xhuvani dhe Domi. Ishte në atë kohë edhe një djalë i ri, Bahri Beci, i cili u bë edhe anëtari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri dhe që tani punon në Francë, jep në Paris ligjërata për albanologjinë. Të gjithë këta si dhe folkloristë si Haxhihasani dhe të tjerë kanë kryer kërkime në të gjitha zonat e Shqipërisë, duke përgatitur një material të gjerë për realizimin e “Atlasit gjuhësor të gjuhës shqipe” në ditët tona, pra pas 50-60 vjetësh, i cili, është një vepër tejet interesante. E kam parë këtë vepër dhe kam shkruar një recension të gjatë. E kam hulumtuar, sidomos, nga perspektiva e marrëdhënieve të rumanishtes me shqipen. Ajo që është interesante është fakti se, për herë të parë, kemi të lokalizuar me saktësi rrjetin e dendur të pikave të kërkimeve në territorin shqiptar. Ka shumë lokalitete në të cilat janë kryer kërkime në terren, në një mënyrë saqë kemi sigurinë e pranisë së kontakteve rumuno-shqiptare në zona të përcaktuara, të cilat, deri më tash, i hamendësonim, i presupozonim. Këto elemente nxjerrin në pah lidhjen në origjinë, lidhjen gjenetike rumuno-shqiptare.

Sa e vërtetë ju duket, nga pikëpamja shkencore, pohimi i Nicolae Iorga-s, sipas të cilit shqiptarët janë “fis të një gjaku” me rumunët?

Ky është një problem i vështirë, për të cilin është shkruar shumë. Është e vështirë të pohohet me saktësi për një fisërim. Ne u përmbahemi idesë se shqiptarët janë ilirë në origjinë. Rumunët nga perspektiva e autoktonizmit të tyre dhe e nënshtratit gjuhësor, janë dakë të romanizuar. Kështu, elementi etnik ilir i zonës veriore të Shqipërisë, të zonës së Dalmacisë, ka pësuar një ndërhyrje të thellë të elementit verilindor dak. D.m.th., ashtu siç thotë një albanolog i shquar, Norbert Jokl-i nga Vjena, i vrarë nga fashistët më 1940, ndodhi një sintezë trako-ilire në pjesën veriore, d.m.th. në jug-perëndim të Rumanisë aktuale, në verilindje të Shqipërisë. Elementi i përbashkët rumuno-shqiptar duhet të jetë ngjizur në këtë zonë të takimit trako-ilir. Thënë ndryshe, ekziston mbi themelin ilir një përbërës gjenetik trako-dak, qysh nga periudha e formimit të gjuhës. Kjo përbën pjesën e përbashkët rumuno-shqiptare, domethënë elementet trako-dakë në shqip. Ekzistojnë shumë fjalë rumanisht nga substrati i kësaj gjuhe që gjegjëset e tyre gjenden në shqip, me forma identike apo të ngjashme, me kuptime identike apo të ngjashme.

Kjo pyetje ka lidhje me atë që më thatë deri më tani. Si shpjegoni, kësisoj, nga prizmi i hulumtimeve tuaja, afrinë midis dy gjuhëve dhe popujve tanë, lidhje kaq të posaçme në kontekstin ballkanik? Ka lidhje me etnogjenezën e përbashkët të rumunëve dhe shqiptarëve, më saktësisht me një fqinjësi të pandërprerë?

Është tejet e vështirë që të saktësohet vendi i kësaj fqinjësie. U shkrua shumë për këtë zonë takimi midis elementit parësor rumun dhe elementit shqiptar. Atë që mund ta themi me siguri në lidhje me Shqipërinë është se shqiptarët e jugut, të quajtur toskë, kanë më shumë ngjashmëri, më shumë afërsi me rumanishten. Dhe është tejet e mundur që ata të kenë zbritur nga zona më veriore në territorin e sotëm. Si dëshmi, sipas mendimit tim, është dhe fakti që ngjashmëritë më të shumta me rumanishten i ka shqipja e jugut dhe afritë më të forta strukturore në lidhje me elementin rumun ballkanik, në përgjithësi, me dako-rumunët, i kanë arumunët e Shqipërisë. Pra fërshëriotët janë më të afërt me dako-rumunët, krahasuar me degët e tjera arumune. Kjo gjë do të thotë se fërshëriotët kanë ikur nga një zonë e madhe fqinje, nga një zonë që ka qenë shumë afër me dako-rumunët. d.m.th. në afërsi të Danubit. Kjo do të ishte një dëshmi e faktit se edhe elementi shqip tosk ka zbritur, fillimisht, nga një zonë malore, veriore, në afërsi të rumunëve. Unë mendoj se kështu duhen parë gjërat. Ngjashmëritë midis rumanishtes dhe shqipes janë ato që lidhen, sidomos, me zonën veriperëndimore të dako-rumanishtes, d.m.th. me Olteninë, Transilvaninë, Banatin, Maramureshin, Krishanën, dhe me toskërishten. Po ju tregoj njërën nga ngjashmëritë më të dukshme: rotacizmi i n-së ndërzanore, i panjohur në gegërisht, i cili është një element karakteristik i toskërishtes. Themi rum. arină (rërë) nga lat. arena, e cila përdoret në formën ariră, me rotacism në malet Apuseni, ku ende ruhet kjo formë e rotacizuar. Kurse në jug të Shqipërisë, te toskët, përdoret rërë. Në veri, te gegët, thuhet ranë, me një a hundore, së cilës i përgjigjet në jug zanorja ë. Ka dhe shumë shembuj të tjerë: toskërishtja ruan një paskajore të shprehur me një strukturë me pjesore e tipit për të shkruar, e cila i korrespondon me një strukturë të ngjashme në dako-rumanisht, i ashtuquajtur supin: de scris (are de scris=ka për të shkruar). Në veri të Shqipërisë nuk e kemi këtë strukturë, por një strukturë me parafjalë dhe me pjesore: me shkrue. Unë i ka studiuar me detaje të gjitha këto struktura, të cilat pasqyrohen edhe në hartat e atlasit që është botuar së fundmi. Por, është shkruar shumë mbi këto dukuri. Kam bërë edhe unë hulumtimet e mia dhe kam mbledhur një material të madh mbi veçoritë që mbështesin fisërimin që në origjinë të rumanishtes me shqipen, i parë nga perspektiva e nënshtresës së përbashkët gjuhësore.

Keni studiuar dhe keni shkruar për përkthimin e poezisë së Eminescu-t në gjuhën shqipe. Mendoni se lirika emineskiane ka ndikuar  në kristalizimin e poezisë moderne?  

Mua më kanë pëlqyer më shumë përkthimet e Vehbi Balës. Ai ishte një profesor në Shkodër, në Institutin e Shkodrës, dhe e njihte shumë mirë rumanishten. Ishim miq të afërt, madje ka qenë tek unë në shtëpi disa herë. Ai erdhi në Rumani për të bërë një doktoraturë për letërsi botërore me Tudor Vianu-n. Dhe e kreu këtë gjë. Shkroi për intelektualët shqiptarë të Rumanisë dhe më pas botoi studimet e tij, tepër interesante. Këto kërkime u rimorën më vonë, nga Catalina Vatasescu, dishepulli im i shkëlqyer në fushën e albanistikës. Dhe unë i kam studiuar dhe kam bërë shënime mbi strukturën prozodike të vargjeve të Eminescu-t, duke u nisur nga zgjidhjet që i kam gjetur te  Vehbi Bala në përkthimet e tij. Ai u mundua të mos bënte thjesht një përkthim të lirë, por u mundua të gjente pikat e takimit midis rumanishtes dhe shqipes, të reflektuara në strukturën prozodike të krijimit të epërm. Provoi të bënte një Eminescu në shqip. Unë besoj se Eminescu ka pasur një ndikim mbi poezinë shqipe në përgjithësi. Kjo gjë u evidentua tek Asdreni së pari (Aleksandër Stavre Drenova, 1872-1947) dhe më pas edhe te të tjerë si Kuteli, Poradeci… Lasgush Poradeci ka një tezë doktorature të kryer në Graz të Austrisë mbi Eminescu-n, një tezë me interes. Ai dinte mirë rumanisht dhe njihej me të moçmin Xhuvani. Ka pasur edhe disa ndërhyrje në orientimin e gjuhës letrare shqipe, ka shënime interesante për pranimin e neologjizmave në gjuhën shqipe, i cili ka qenë një nga problemet më serioze të gjuhës letrare shqipe. Është fjala për mënyrën se si duheshin adaptuar në shqip fjalët e reja nga frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja. Kur unë isha me studime në Shqipëri, ky ishte një nga problemet më thelbësore të gjuhësisë shqiptare. U shkrua shumë në atë kohë, u zhvilluan edhe kongrese që trajtuan mënyrën e shkrimit të fjalëve të reja që kishin hyrë nga gjuhë të tjera. Ky ishte problemi numër një, në institut bënë edhe një udhëzues dhe besoj se është i pari i këtij lloji në gjuhësinë ballkanike. Ishte në fakt, një fjalor ortografik, ortopeik dhe morfologjik i gjuhës shqipe. D.m.th. udhëzohej jo vetëm ortografia e tyre, por edhe morfologjia e fjalëve të huaja, edhe mënyra se si duhej të pranohej gramatikisht. Këto janë udhëzime të domosdoshme dhe normale për një gjuhë letrare në formim e sipër. Sepse shqipja është një gjuhë që u integrua në zonën e kulturës nëpërmjet dialektit verior, gegërishtes. Shumë shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë janë gegë, Fishta, Mjeda, Migjeni e të tjerë. Tekstet e para shqip janë në gegërisht, “Meshari” i Buzukut e të tjera. Pas lufte, një udhëzim politik bëri vendosjen në radhë të parë të gjuhës letrare të dialektit jugor, të toskërishtes. Tani kjo gjë duket se është kristalizuar, sepse dialekti tosk mbizotëron në gjuhën letrare. Por kjo nuk na pengon të pranojmë se poezi kolosale si ajo e Gjergj Fishtës u shkruan në gegërisht. Kur unë kam qenë në Tiranë ishte e ndaluar të lexoje Fishtën. Atëherë, kur bridhja nëpër fshatra, mësuesit më jepnin nga një tekst të vjetër dhe kështu kam mbledhur shumë tekste të vjetra, midis të cilave edhe “Lahutën e Malësisë”, të Fishtës.

T’u kthehemi kohërave tona, do të dëshiroja t’ju pyesja si ka evoluar kërkimi shkencor gjuhësor në 25 vjetët e fundit? A ju duket korrekt opinioni sipas të cilit kërkimi shkencor themelor, duke përfshirë edhe fushën gjuhësisë, ka regjistruar një regres në vitet e fundit?

Nuk mund të them se ka regjistruar një regres. Por metodat e kërkimit shkencor kanë ndryshuar. Më përpara i vihej theksi historisë së gjuhës. Hetimi i teksteve të vjetra që reflektonte fazat arkaike të gjuhës sonë. Sot, vëmendja kryesore i kushtohet gjuhës bashkëkohore, kurse si metoda kërkimi preferohen ato që dominojnë sot gjuhësinë europiane dhe amerikane. Janë metoda strukturaliste që nuk praktikoheshin më parë dhe as nuk njiheshin më parë. Kështu që edhe rezultatet janë, në një farë mënyrë, të tjera, por është për të ardhur keq fakti se injorohen kërkimet në fushën e historisë së gjuhës. Kështu shpjegohet fakti që nuk shihen më me interes të madh zonat arkaike të gjuhës. Dhe kështu janë shfaqur ide nga më të çuditshmet në lidhje me origjinën e gjuhës sonë. Kam parë një fjalor etimologjik të gjuhës rumune, autori është një ish-doktorant i imi, në të cilën mbështeten disa absurditete, siç është ajo që rumanishtja nuk është një gjuhë latine, por, përkundrazi, është një gjuhë me origjinë para latinishtes, që, madje, ka ndikuar vetë latinishten. Injorohet fakti se rumanishtja nuk është gjë tjetër veçse vetë latinishtja që evoluoi për një kohë 2000 vjeçare në hapësirën e Karpateve dhe Danubit të Poshtëm, sipas disa ligjeve zhvillimi të zbuluara prej shumë kohësh. Rumanishtja nuk ndryshon me asgjë nga latinishtja. Elementet që e ndajnë nga latinishtja janë ato që lidhen me ndërhyrjen parësore të nënshtresës së gjuhës. Ndodhi procesi i dygjuhësisë së popullsisë së romanizuar, sepse dakët e pushtuar duhet të mësonin latinishten dhe në të njëjtën kohë flisnin edhe gjuhën e vet, duke u bërë me dy gjuhë, pra ishin dygjuhësh. Ata dinin edhe gjuhën e tyre, por dinin edhe gjuhën e pushtuesit, për të cilën kishin nevojë. Gjatë këtij procesi dygjuhësor kanë ruajtur nga gjuha që po e braktisnin elemente të një kulture indigjene, nëpërmjet të cilave dalloheshin nga pushtuesit. Autoktonët, dakët, popullsia e zonës së Karpateve dhe e zonës së Danubit, dallohej nga romakët pushtues përmes asaj se ishin një popullsi barinjsh dhe bujqish, pra një popull me një gjuhë në të cilin mbisundonte elementi popullor, baritor dhe bujqësor. Prandaj elementet që u ruajtën janë elemente që shprehin realitetin e lashtë, popullor, elementet thelbësore ishin vendase. Ky është problemi i origjinës së lashtë të gjuhës rumune: është latinishtja me evoluimin prej 2000 vjetësh në këtë zonë primitive, të lashtë, të pasuruar me elemente autoktonë, që pasqyrojnë kulturën e popullsisë vendase.

Dhe jo e kundërta, sa marrëzira i komunikohen publikut të gjerë nëpërmjet internetit dhe përmes revistave.

Intervistë e realizuar nga Marius Dobrescu/ nga rumanishtja: Luan Topçiu/Gazetashqip

- Advertisement -

MË TË FUNDIT