Këtë javë kanë pasur për tu publikuar listat e zonave për veteranë por që një gjë e tillë është shtyer përseri deri në javën e ardhshme. Pas shtyerjve të gjata ka reaguar edhe OVL e UÇK-së.
Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është e shqetësuar thellë me vonesën e publikimit të të gjitha listave paraprake.
Ky është reagimi i plotë i OVL-UÇK-së
“Konsiderojmë se është e pakuptimtë dhe e papërgjegjshme nga ana e komandantëve, vonimi i publikimit, pasi që po dëmtohen veteranët e luftës që janë në gjendje të mjerueshme ekonomike e sociale”, thuhet në një komunikatë të OVL të UÇK-së.
Andaj ata kërkojnë që listat të publikohen sa më shpejt në mënyrë që ligji aktual të filloj zbatimin.
“Gjithashtu theksojmë se ne si OVL të UÇK-së, në vazhdimësi do të angazhohemi që të amandamentohet ky ligj, që sa më mirë të përshtatet me nevojat e veteranëve të luftës. Pasi që vendi ku nxirren ligjet është Kuvendi, ne do të bashkëpunojmë me të gjithë deputetët, që në të ardhmen të bëhen plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”, shtohet më tej.
Ndër tjerash thuhet se inkurajohen të gjithë veteranët e luftës, që ta shfrytëzojnë të drejtën e ankimimit sipas suazave ligjore, në rastet që ata e konsiderojnë se ka padrejtësi.
“Pasi që listat janë të gatshme dhe vetëm presin miratimin e komandantëve të zonave përkatëse, ne kërkojmë që komandantët të jenë në nivelin e përgjegjësisë dhe që listat të publikohen gjatë javës së ardhshme. Pakënaqësia është shumë e madhe për këtë vonesë dhe kërkesa për protestë, vazhdimisht kemi marrë edhe nga degët por edhe nga veteranët që çdo ditë ankohen për gjendjen e mjerueshme të tyre. Por ne sinqerisht besojmë se nuk do të ketë nevojë që ky proces kaq i nevojshëm për veteranët, të devijojë me protesta, mirëpo jemi të detyruar t’i organizojmë nëse vazhdon stërzgjatja e panevojshme. Për këtë, përgjegjësi do të japin vet komandantët që janë dhe shkaktarët kryesorë të kësaj stërzgjatjeje”, përfundohet në komunikatën e OVL të UÇK-së.