Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës duhet t’i publikojnë listat me emrat e personave të cilët kanë qenë pjesë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, vetëm pas këtij veprimi, do të mund të ketë vlerësim të drejtë për të gjithë veteranët.
“Asnjëherë nuk do të vendoset drejtësi për kategoritë e dala nga lufta pa i nxjerrë Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës listat e pjesëtarëve të vërtetë të UÇK-së”, ka shkruar Hoti, raporton Periskopi.
Sipas tij bërja publike e atyre listave do të nxjerrë ne shesh parregullsitë që janë bërë nga njerëz të politikës, gjatë verifikimit të atyre që kanë aplikuar për statusin e veteranit të UÇK-së.
“Vetëm kur ato lista të bëhen publike, ushtarët e vërtetë do të marrin vlerësimin e merituar. Dhe do të dalin sheshit motivet kriminale e politike të fryrjes së numrit të veteranëve e invalidëve të luftës. Deri atëherë, taksat e qytetarëve të varfër të Kosovës do të shpenzohen padrejtësisht”, është shprehur Hoti, shkruan Periskopi.
LDK-ja thotë Hoti, mbështet fuqishëm këtë proces në mënyrë që të garantohet paprekshmëria dhe pastërtia e luftëtarëve të UÇK-së.
“LDK-ja e mbështet fuqishëm ndriçimin e plotë të këtij procesi, në mënyrë që të garantohet paprekshmëria e pastërtisë së kauzës çlirimtare të luftëtarëve të UÇK-së”, ka përfunduar Hoti.
Ky reagim i Hotit duket se është nxitur pas ngritjes së aktakuzës ndaj disa personave për falsifikim të statusit të veteranit të UÇK-së.