Dëshmia e shqiptarit
“Abdullah al-Albani”, shqiptari me inicialet L.T., është shprehur se luftëtarët e ISIS-it, kur kishin për të dërguar ndonjë mall në banesat e tyre, e ngarkonin keqaz. Kur i pyeste se “Përse më jepni kaq shumë ushqime?”, ata përgjigjeshin se “Jemi shumë të pasur”. Shqiptari që kishte gjetur mënyrën për t’u punësuar si roje sigurie në market shprehet gjithashtu se arroganca e luftëtarëve të ISIS dhe injoranca e tyre ishte tepër e madhe. “Shumica e tyre nuk dinin t’u jepnin makinave”, -thotë ai, teksa përmend edhe sjelljen e keqe në komunikim apo gjatë ngrënies së vakteve të drekës apo darkës. Ai thotë se xhihadistët nuk dinin si të silleshin në tryeza. Një tjetër moment është ai i ngacmimeve të shumta që kishte hasur nga vendasit, siç ishte çasti kur luftëtarët luanin me telefonin e tij, teksa ishte në karikim. Por momenti më kulmor mbetet pa dyshim vjedhja e këpucëve. “Nuk më linin rehat, më vidhnin këpucët. Sapo blija të tjera, ata m’i vidhnin prapë” -thotë ai. Siç duket vjedhja ndodhte gjatë faljes në xhami, pasi nuk lejohet hyrja me këpucë brenda këtyre objekteve të kultit. Burimet, të cilat ia bënë të ditur gazetës këtë dëshmi të shtetasit të Republikës së Shqipërisë, nuk saktësojnë vendin ku Observatori ia ka marrë dëshminë, por deklarimi i tij është renditur mes dhjetëra dhe qindra të tjerëve që kanë mundur të largohen nga ferri i ISIS-it. Me shumë mundësi këto dëshmi mund të jenë marrë në qendrat e grumbullimit, jashtë kufijve të Sirisë, ku ish-luftëtarët ishin mbledhur për t’u shpërndarë më pas në shtetet e tyre.
Shqiptarët në Siri
Xhihadistët shqiptarë, të renditur mes mijëra luftëtarëve të huaj në radhët e ISIS, po përdoren nga organizata terroriste si “mish për top”. Ata janë të parët në vijën e sulmit dhe shpeshherë shërbejnë si kamikazë, ndërsa vendasit (sirianë dhe irakianë) vijnë më pas kur zona është pastruar dhe merren me punë prestigjioze organizative. Këto janë të dhënat e fundit, që po qarkullojnë në agjencitë inteligjente apo mediat prestigjioze botërore, ndërsa autoritetet shqiptare janë të mirinformuara për aktivitetin e shqiptarëve në Siri dhe Irak. Përvoja e luftës, për rekrutët e huaj, ku përfshihen edhe shqiptarët, është shpesh e shkurtër dhe e përgjakshme. Tashmë ISIS ka vendosur që askush të mos kthehet në tokën nga ka ardhur, kështu që luftëtarët shqiptarë mbeten të bllokuar atje edhe sikur të kenë dëshirë të largohen prej luftës. Dhjetëra shqiptarë janë ende në territoret e Sirisë dhe Irakut, përfshi familjarë, ku bëjnë pjesë pleq dhe fëmijë. Ervin Hasanaj dhe Dorian Kuqo janë shqiptarët e fundit të vrarë në Siri, duke luftuar për organizatat terroriste që luftojnë atje.