Shqiptarët të dalin me një platformë të përbashkët

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Jonuz Musliu, ka thënë se 11 mijë nxënës të Luginës së Preshevës kanë mbetur pa tekste shkollore në gjuhën shqipe si pasojë e bllokadës që ka bërë Qeveria e Serbisë, duke mos lejuar të hyjnë 100 mijë tekste nga Kosova për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

“Ne që dy muaj kemi kërkuar që librat shqip të vijnë në Luginë nga Republika e Kosovës. Janë kërkuar 103 mijë e 222 tekste mësimore. Përafërsisht janë 11 mijë nxënës në Luginë të Preshevës të cilët mësojnë pa tekste mësimore dhe ende në kushte primitive. Arsimtari ligjëron, kurse nxënësi shkruan”, ka thënë Musliu në një intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se Serbia në këtë mënyrë po vazhdon urrejtjen patologjike ndaj shqiptarëve, mospërfilljen që shqiptarët t’i kenë të drejtat e tyre për shkrim dhe lexim. Musliu ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ai ka kërkuar të bëhet një reciprocitet në mes të serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Nëse ka hapësirë që t’i ndajë Serbia 40 milionë euro për serbët e Kosovës, atëherë pse nuk ka mundësi Kosova të ndajë buxhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës, në mënyrë që shqiptarët e Luginës mos jenë të varur nga serbët”, ka thënë ai.

Lider i Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD), Jonuz Musliu, mendon shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi dhe në Çamëri duhet të dalin me një platformë të përbashkët. “Pra, të jetë një Këshill i cili u drejtohet të gjithë shqiptarëve për çështjet që kanë të bëjnë për ta. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parasheh që të mbrohet çdo shqiptar kudo që jeton, kurse Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk e ka një gjë të tillë”, është shprehur Musliu, duke shtruar nevojën që edhe Kosova ta ndërrojë Kushtetutën dhe të veprojë njëjtë sikurse Shqipëria. “Edhe Kosova duhet të ketë ndërhyrje në Kushtetutë”, ka deklaruar Musliu.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT