Shqiptarët dhe serbët e shohin të panevojshëm murin në veri

Ndërtimin e një muri në anën veriore të qytetit të Mitrovicës, kryetari Agim Bahtiri, por edhe qytetarët shqiptarë e serbë e shohin si të pakuptimtë dhe të panevojshëm.

Ata nuk janë të kënaqur me një gjë të tillë, duke thënë se ka kaluar koha e kufijve dhe barrierave për qytetarët.Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri gjatë një vizite që i bëri sot punimeve mbi urën kryesore të Ibrit, e ka quajtur ndërtimin e murit ilegal, ndërsa tha se ky mur nuk është paraparë me marrëveshjen e Brukselit. Ai ka mohuar se muri i ndërtuar do të ndaj qytetin, duke përsëritur se Mitrovica do të bashkohet. Bahtiri premtoi se muri do të largohet, pa precizuar se kur do të ndodhë një gjë e tillë. Ndërkaq, kryetari i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiq, i ka thënë Kosovapress-it përmes telefonit se është duke shkuar në Prishtinë për të biseduar pikërisht për këtë temë, dhe pasi të kthehet mund të jap ndonjë deklaratë.

Në anën tjetër, qytetarët e Mitrovicës janë shprehur të pakënaqur me ndërtimin e murit në pjesën veriore të qytetit.

Dushko Kociq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, u shpreh se nuk e ka të qartë akoma domethënien e këtij muri, pasi nuk e ka parë projektin. Sipas tij, shqiptarët e serbët duhet të jetojnë së bashku pavarësisht të kaluarës. Xhylazim Peci, banor i veriut të Mitrovicës, ka bërë të ditur se muri I ndërtuar është pengesë e madhe, në radhë të parë për serbët dhe për të gjithë qytetarët.