Këngëtarja shqiptare, Elhaida Dani e cila do të prezantojë Shqipërinë me këngën “Diell”, në Eurosong, nuk do të mundet të prezantohet me këtë këngë, për shkak se autori i këngës tashmë ka tërhequr kompozimin.
Vetë Elhaida Dani ka njoftuar nëpërmjet rrjetit social facebook për këtë ndryshim, se më e drejtë është që të komunikohet ky lajm personalisht nga ajo.
“Mendoj se është e drejtë t’ju komunikoj personalisht vendimin e marrë që më është komunikuar së fundmi.
Këtë vit do të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision me një këngë tjetër nga ajo me të cilën u shpalla fituese në dhjetor të vitit të kaluar.
Ky lajm do bëhet publik dhe zyrtar së shpejti, por dëshiroja që të isha unë ajo që ju komunikoj për herë të parë.
Autori i këngës “Diell”, për arsye personale dhe të pandryshueshme, ka vendosur të tërheqë këngën e kompozuar dhe do jetë për fat të keq e pamundur të këndohet nga unë në Eurovision Song Contest 2015.
Duke respektuar këtë zgjedhje të tijën personale dhe në dakordësi me RTSH, e mbi të gjitha duke respektuar rregullat e vendosura nga ESC , më është komunikuar që si fituese e FiK, unë duhet të përfaqësoj vendin tim në Vienë me një këngë të re.
Urimi dhe dëshira ime është që ky vendim i papritur që më është bërë i ditur të mos sjellë pakënaqësi dhe polemika;
Qëllimi mbetet ai që Shqipëria të ndahet me një rezultat sa më të mirë dhe të gjithë do punojmë sa më shumë për ta arritur”.