Shpend Ahmeti nuk do ta shkarkojë Liburn Aliun

Kryetari i Komunës së Prishtinës nuk do ta shkarkojë nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, Liburn Aliun, shkruan sot Koha Ditore.
Këtë deklaratë të kryetarit e ka transmetuar, të dielën në mbrëmje, përfaqësuesi i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, Xhevdet Pozhari.
Mosshkarkimin e ka arsyetuar me faktin që sipas Ahmetit, ngjarja nuk ka ndodhur brenda institucioneve komunale, por jashtë objektit.
Ahmeti u është përgjigjur kështu përfaqësuesve të subjekteve opozitare në Kuvendin Komunal, LDK e PDK, të cilët kanë paralajmëruar se gjatë kësaj jave zyrtarisht do të kërkojnë nga ekzekutivi i Prishtinës, shkarkimin e Liburn Aliut nga pozita e drejtorit, pas sulmit ndaj këshilltarit komunal nga radhët e PDK-së, Muhamet Selmani.
Liburn Aliu, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, është arrestuar të premten mbrëma, pak orë pasi ishte përfshirë në një konflikt fizik me këshilltarin komunal nga radhët e PDK-së, Muhamet Selmani. Atij i ishte caktuar masa e arrestit prej 48 orësh. Ai është liruar, të shtunën, pasi është intervistuar. /koha/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT