Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka llogaritur pagat që kanë marrë deputetët e Kuvendit që nga fillimi i pandemisë e deri më sot.

Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka publikuar një shifër të pagave të deputetëve për periudhën kohore prej nëntë muajsh që arrin vlerën e 2 milionë eurove.

Sipas Ahmetit, deputetët e Kuvendit kanë marrë 2 milionë euro paga.

“Prej fillimit të pandemisë deputetët e Kuvendit kanë marr 2 milion euro paga”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “Facebook”.

Ndërsa, po këta deputetë për të shtatën herë refuzuan të votojnë projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ndryshe, Projektligji për rimëkëmbje ekonomike – që në lexim të parë u votua më 12 tetor – mëton të ndihmojë në rikuperimin e humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Në këtë projektligj po ashtu parashihet që kontributpaguesit të mund të tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Ky projektligj– nëse votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj – do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike. /Telegrafi/