Të dielën Drenasi do të nisë procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri, raporton KTV.
Shoqëria civile, është mobilizuar për të monitoruar nga afër zgjedhjet në këtë komunë, dhe do të ketë mbi 90 monitorues, të vendosur në 72 vendvotime e disa të tjerë mobil, transmeton Koha.net.
Sipas Driton Selmanajt nga Koalicioni për Integritet Zgjedhor, mbarëvajtja e fushatës zgjedhore ka qenë e pranueshme, por megjithatë kishte një defekt, që ajo kishte nisur para kohe.
Koalicioni i OJQ-ve pret që procesi të kalojë i qetë, duke rikujtuar praktikën e mirë nga viti 2013. Qytetarëve me të drejtë vote u është bërë thirrje
që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, dhe partive, që të përmbahen nga gjuha nxitëse.
E premtimet që janë bërë deri tani nga kandidatët e subjekteve që janë në garë, sipas Albert Krasniqit, nuk do të mund të përmbushen. Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 52 mijë e 569 persona.
Ndërsa koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka 99 vëzhgues të akredituar, 4 ekipe lëvizëse në teren, 8 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe staf mbështetës të cilët do të përkujdesen për vëzhgimin e procesit zgjedhor.