Shoqata e Gastronomëve kërkon përkrahje për paga dhe qira

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka njoftuar se të martën është mbledhur për të diskutuar vendimet e fundit të Qeverisë dhe dhënë rekomandime për lehtësimin e gjendjes dhe përkrahjes së këtij sektori

Gastronomët po kërkojnë që të japin kontributin në dizajnimin e masave dhe praktikave të cilat do të ishin më pak të dëmshme për bizneset dhe ekonominë.

“Duke marrë parasysh gjendjen e rënduar aktuale dhe rritjen e numrit të infektuarve me virusin COVID-19, ne si Shoqatë, ju bëjmë thirrje për bashkëpunim në dhënien e kontributit tonë në dizajnimin e masave dhe praktikave më të mira dhe më të përshtatshme, të cilat do të ishin më pak të dëmshme si për bizneset tona ashtu edhe për ekonominë e vendit. Tanimë, të gjithë jemi të vetëdijshëm që nuk e kemi luksin për humbje akoma më të mëdha te vendeve të punës dhe thellim të krizës ekonomike”, thuhet në njoftimin e Shoqatës së Gastronomëve.

Gastronomët po thonë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me institucionet.

Por, vendimet e fundit të Qeverisë, ata i quajnë të dëmshme për bizneset.

“Vendimi i fundit i marrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, jo vetëm që nuk ndikon në parandalimin e përhapjes së virusit, por edhe shkatërron komplet bizneset tona dhe na shpie drejt një kolapsi ekonomik”, thuhet në reagim.

Shoqata e Gastronomëve po vlerëson se shkurtimi i orarit të punës deri në orën 21:00 i çon bizneset drejt bankrotit.

“Si Shoqatë mendojmë që shkurtimi i orarit të punës deri në orën 21:00, neve si biznese na pamundëson operimin e mëtutjeshëm dhe na çon drejt shpalljes së bankrotit. Njëkohësisht, nuk besojmë që ky është faktor kyç që do të ndihmonte zvogëlimin e numrit te infektuarve dhe si Shoqatë besojmë që vetëdijesimi i klientëve tonë, stafit, mbajtjes së maskave dhe respektimit te masave të tjera gjithmonë në bashkëpunim me institucionet përkatëse do të ishte zgjidhje më e mirë”, thonë gastronomët.

Gastronomët iu kanë bërë thirrje institucioneve t’i gjobisin bizneset që nuk i respektojnë masat.

Ata po ashtu kanë kërkuar riprogramim të kësteve të kredisë, lehtësim për qasje në financa, përkrahje për pagat dhe qiratë së paku edhe për tre muaj, shtyrje të deklarimeve dhe pagesave për së paku edhe tre muaj.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT