Shkrimtari i njohur Loer Kume, i cili është vlerësuar me çmimin “Kadare 2019”, është shprehur se në Shqipëri shkruhet shumë por letërsia është në hije.

I ftuar në emisionin “Ditë e Re” në RTV Ora, tha se duhet krijohet debat publik mbi romanet dhe një luftë letrare që letërsia të marrë pozicionin e duhur në shoqëri.

Loer Kume: “Në Shqipëri shkruhet shumë por problemi është që letërsia nuk ka spotlight-in, nuk ka dritën e projektorit që të krijohet një debat publik mbi romanet, autorët që shkruajnë, fundja edhe të kryqëzohen autorët sepse jo domosdoshmërish të ulurit në një panel të bën njeri me vlera. Duhet një luftë letrare dhe letërsia të marrë pozicionimin që duhet të ketë në një shoqëri. Tek ne nuk e ka fare, po fare. Kjo ndoshta ngaqë merremi me probleme ekzistenciale, a doli rroga, a e mbyllim dot muajin apo zihet politikisht Rama me Kurtin. Letërsia nuk është luks por shtyllë kurrizore shumë e rëndësishme e shoqërisë. Ndoshta për Shqipërinë mund të quhet luks.”

Duke komentuar vlerësimin e Ismail Kadare me çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë, shkrimtari shtoi se ndërsa në Shqipëri luftohet për të hyrë politikisht në botë, nëpërmjet këtyre çmimeve kemi hyrë në hartën e botës.

Loer Kume: “Është një nga çmimet më prestigjioze në fushën e letërsisë. Është lajm i madh për neve por ne praktikisht këmbëngulim politikisht edhe ekonomikisht të hyjmë në Evropë por ndërkohë kemi hyrë në hartën e botës përmes këtyre ngjarjeve “të vogla”. Duhet ti kushtojmë një vëmendje të madhe jo vetëm shkrimtarëve por ne kemi edhe një problem të vogël me sportin. Çdo arritje në sport nuk merr vëmendjen e duhur por ngel lajm i cepit.”