Shkrimtari belg provokon me ligjëratën në Prishtinë

Shkrimtari belg, Belgjikën e përshkruan si shtet absurd, që nuk do të duhej të ekzistonte. Absurd i quan edhe shtetet e tjera të Evropës. Ende pa ia nisur mirë ligjëratës, poeti, shkrimtari dhe eseisti belg, Geert van Istendael, paralajmëroi se do të flasë për gjëra provokuese dhe jo të kënaqshme.
Me këtë iu drejtua publikut kosovar, pasi, sipas tij, belgët tashmë i dinë gjërat që ka për të thënë. Vitin e kaluar libri i tij “Historia e Belgjikës” u përkthye në shqip. Ndërsa të shtunën ai mbajti ligjëratë në Prishtinë me temën “Belgjika, një vend i pamundësive të pakufizuara”. Istendael, për më shumë se një orë, në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së, shpalosi historinë e vendit të tij. Duke marrë parasysh historinë e Kosovës dhe marrëdhëniet jo të mira me fqinjët, kjo ligjëratë sipas tij është ndihmesë për Kosovën që të mësojë nga sukseset dhe gabimet e Belgjikës. Ai ka thënë se Kosova është shtet i ri, ndërsa si rajon është i vjetër. Me shembuj ka sqaruar edhe situatën e Kosovës me Serbinë.
“Belgjika ishte konkurrente e Britanisë. Ne kishim industri të zhvilluar, koloni holandeze dhe anije të mjaftueshme për të zhvilluar ekonominë. Nuk ishte në interes të Britanisë që të shkatërronte një konkurrent. Belgjika ishte shtet i stabilizuar dhe e kuptoi shumë mirë thirrjen tuaj. Serbia nuk e ka njohur ekzistencën tuaj si shtet”, ka thënë Istendael.
“Tash gjithçka ka mbetur të negociohet dhe nuk besoj se serbët janë të lehtë për negociata. Zoti falë, por serbët jo. Ju keni aleatë të fuqishëm, nuk them se gjatë tërë kohës janë të drejtë e të besueshëm, por janë të fortë. Kështu që nuk ka asnjë arsye të dëshpëroheni”, ka shtuar ai.
Libri i Istendaelit është përkthyer edhe në maqedonisht , polonisht e gjuhë të tjera. Ai ka thënë se qëllimi i tij nuk është që t’i ftojë të tjerët të ndjekin modelin e Belgjikës.
“Jam shumë krenar dhe i privilegjuar, sepse asnjë gjuhë nuk është më pak e rëndësishme se tjetra. Ky libër është i publikuar këtu dhe qëllimi im nuk është që t’ju ftoj ta ndiqni modelin e Belgjikës. Nuk është se jam negativ rreth Belgjikës, por do të ishte arrogante nëse do të thosha se ne jemi shembull i mirë për t’u ndjekur”, ka thënë Istendael, tek ka zbuluar mesazhin që mëton të përçojë me librin e tij. Kur e kishte shkruar librin para gjashtë vitesh, qëllimi i tij ishte që Holanda të dinte më shumë për Belgjikën. Por tani pasi që e ka rishkruar, ka tjetër qëllim.
“Në këtë libër mund të gjeni ide për situata të ndryshme. Mbase do të ndesheni edhe në disa gjëra befasuese. E kam rishkruar pesë herë dhe tani është më ndryshe dhe bën që imagjinata juaj të funksionojë dhe ndoshta dikujt mund t’i hyjnë në punë”, ka thënë Istendael. Pika e dytë e ligjëratës së tij kishte të bënte pikërisht me historinë e shtetformimit të Belgjikës. Nisur nga revolucionet, konfliktet dhe deri te zhvillimet që ka përjetuar ky shtet që nga deklarimi i pavarësisë në vitin 1830.
“Belgjika është një shtet që nuk do të duhej të ekzistonte”, ishin fjalët e para të shkrimtarit belg, posa nisi të ligjërojë.
“Është një shtet i pamundur, disa madje e quajnë absurd. Të gjitha shtet në një mënyrë janë absurde, por Belgjika është specifikisht absurde”, ka shtuar ai.
Istendael e ka quajtur Belgjikën edhe shtet artificial. Të tilla, sipas tij, janë edhe shtetet e tjera të Evropës.
Por kjo, sipas Istendaelit, nuk është asgjë e keqe. Më shumë se 50 për qind e popullsisë së Belgjikës flasin holandisht, që janë pjesë e komunitetit flaman, ndërsa pjesa tjetër flasin frëngjisht. Konfliktet më të mëdha që ka përjetuar ky shtet janë bërë pikërisht për shkak të gjuhës.
“Kur dëgjoj gazetarë të huaj që vijnë në Belgjikë, ata akoma e identifikojnë këtë vend me konfliktin e gjuhës. Kjo natyrisht nuk është e vërtetë. Belgjika njihet për një numër konfliktesh: të gjuhës, fesë dhe të tjera. Por me sa duket reputacioni ynë jashtë vendit është se jemi një shtet i ndarë, i shkatërruar nga konfliktet e gjuhës”, ka thënë Istendael.
Ai ka marrë një shembull sesi holandishtfolësit dhe frëngjishtfolësit do të uleshin për shumë vjet dhe do të negocionin për çështje shtetërore, pas përfundimit të konfliktit.
“Si mund të kërkoni diçka që nuk ekziston. Ajo që duhet bërë është të keni durim dhe të bëheni të fortë e të negocioni. Jo me orë, javë apo muaj, por nëse ka nevojë edhe vite e dekada. Pas një fundi të gjatë do të vijë kompromisi”, ka thënë Istendael, tek ka treguar se konfliktet gjuhësore më nuk ekzistojnë në Belgjikë.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT