Shkolla që mban emrin e dëshmorit Ismet Uka feston Ditën e Pavarsisë me poezi, këngë e valle (FOTO)

Të veshur me këmisha të bardha,  pantallona të kaltër e kordela të verdha, që simbolizojnë ngjyrat e flamurit të Kosovës, nxënësit e  shkollës fillore së mesme të ulët “Ismet Uka” në Ticë  festojnë 17 shkurtin.

Diellza Uka ia  thotë vargjeve për flamurin e Kosovës. Monologu i saj titullohej “ Fjalët e flamurit” e ndër tjerë rreshta ishin edhe këta: “E kuptova që edhe unë kam shpirt, pikërisht kur pashë bijtë e shqipes të shtrirë për toke nga një breshëri plumbash”.

Në mes emocionesh, Diellza nxënëse në klasën e VI-të, tregon se këto vargje i thuri për 12 vjetorin e Pavarsisë, në nder të xhaxhait të saj dëshmor Ismet Uka, që tashmë shkolla  mban emrin e tij.

“Jam shumë krenare që kam mundësi të recitoj poezi e të thurë  vargje për xhaxhain tim. Ashtu siç më kanë treguar familjarët xhaxhi Ismet është vrarë nga forcat serbe në luftë”, tha Uka.

Ismet Uka së bashku me vëllanë e tij Ganiun kanë qenë ushtarë të UÇK-së. Ata bënin pjesë në Brigadën 113, Mujë Krasniqi. Ismeti u vra në Bardh të Madh më 1998 nga forcat serbe.

Në programin e mbajtur këtë ditë, pati edhe këngë e valle. Disa nxënëse të veshura me veshje tradicionale vallëzuan nën tingujt e Vallës së Rugovës.

Në ambientin ku po mbahej ky organizim nuk mungonin dekorimet. Shkrime e tullumbace me ngjyrat përkatëse të flamurit dominonin aty.

Njëra ndër mësueset e kësaj shkolle, Valentina Kadriu tregon se ky lloj organizimi bëhet tash e disa vite.

“Çdo vit bëjmë organizime të tilla, nxënësit shprehin dëshirë e vullnet të madh për recituar, kënduar e vallëzuar në festa që janë të rëndësishme për ne”, tha Kadriu.

Ajo ndër të tjera tregoj se kujdeset pothuajse gjithmonë për poezitë, këngët dhe për dekorimet  në raste të tilla.

Kësaj shkolle  nuk i mungojnë edhe  sukseset.

Drejtoresha Hamide Abazi thotë që para disa ditëve nxënësja e klasës së VIII-të Mimoza Beka, kishte  marrë pjesë në Garat Nacionale të Diturisë duke fituar vendin e parë në lëndën e historisë në nivel shtetrorë.

Kjo shkollë është vatër e diturisë së nxënësve që nga viti 1954 prej kur është themeluar. Në maj të vitit 2014 u vu gurthemeli i parë i objektit të ri të kësaj shkolle, ku mësimin për herë të parë në objekt të ri u mbajt në maj të vitit 2016. Këtë vit shkollor SHFMU “ Ismet Uka” numëron rreth 140 nxënës.

Autore: Zelfije Zeneli  është studente e Departamentit të Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë.

 

- Advertisement -

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

MË TË FUNDIT

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com