Shikoni me çfarë vetëbesimi Kurti premtonte uljen e çmimit të rrymës kur bënte fushatë

Qeveria sot ka marrë vendim që të aprovojë propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e tarifave të rrymës për disa grupe të konsumatorëve. Mirëpo, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2019 kishte thënë me plot vetëbesim se cmimi i rrymës nuk do të rritej, por madje do të ulej dhe kishte shtuar se edhe qytetarët në veri të Kosovës do të paguajnë për rrymën, shkruan Gazeta Express.

Zyra e Rregullatorit për Energji ka thënë se ka propozuar dy blloqe për konsumatorët shtëpiak, blloku i parë për konsumin deri në 600 kwh, ky nivel i konsumit mund të ofrohet me çmim të përafërt me tarifën egzistuese.

Tutje në sqarimin e tyre thuhet se kur një konsumator konsumon më shumë se 600 kWh, atëherë për të mbuluar konsumin mbi 600 kWh duhet të blihet energji nga importi. Për këtë arsye sipas tyre, çmimi i energjisë mbi 600 kWh duhet të reflektojë çmimin e importit, duke shpjeguar rritjen e çmimit të rrymës që sot u miratua nga Qeveria.

Por, më datën 26 shtator 2019, kryeministri aktual i Kosovës Albin Kurti tha se çmimi i rrymës do të ulej, ndonëse nuk mund të jepte përgjigje të saktë se sa do të ulej ai. Po ashtu, ai tha se që nuk do të paguanin me buxhetin e Kosovës rrymën për ata s’e paguajnë, duke aluduar tek qytetarët në veri të Kosovës.

“Unë nuk mund ta them sot se sa do të ulet energjia elektrike por e di që Contour Global-i nuk vjen në shprehje më, ajo do të na e shtrenjtonte energjinë elektrike dhe ne nuk paguajmë me buxhetin e Kosovës për ata që s’e paguajnë energjinë elektrike, qofshin në veri ose gjetiu. Nuk mund ta kuantifikoj sot, por ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike sepse tepër shtrenjtë, kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi, shumë kemi kapacitet”, pati thënë ai.

Megjithatë, sot Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka zotuar 75 milionë euro për subvencionomin e energjisë për qytetarët dhe bizneset, duke aprovuar propozimin e ZRRE-së për ngritje të tarifave, raporton Express.

“Duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në tregjet evropiane të energjisë elektrike që ka ndikuar edhe Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë është zotuar të subvencionojë qytetarët e bizneset e Kosovës, duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave. Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Sipas Ministrisë, subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë.

Sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifat e reja të energjisë elektrike, nëse miratohen, do të fillojnë të aplikohen nga 1 shkurti 2022 dhe do të kenë vlerë deri më 31 mars 2023, shkruan Gazeta Express. /Gazeta Express/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT