Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë- (Eulex), z. Gabriele Meucci, ka vizituar Gjykatën Themelore të Mitrovicës, punëtorët e së cilës tash e shtatë vite punojnë në objektin e gjykatës në Vushtrri. Me këtë rast, ai u prit nga kryetarja e gjykatës, znj. Kada Bunjaku-Perçuku, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, z. Shyqyri Syla dhe një pjesë e gjyqtarëve të kësaj gjykate, bënë të ditur nëpërmjet një komunikate për media, zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Bajramcurr Hasani.
Kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, znj. Kada Bunjaku-Perçuku, i bëri të ditur të parit të EULEX-it me kushtet e vështira në të cilat punon kjo gjykatë, dhe përkundër kësaj rezultatet në fushën e drejtësisë janë shumë të mira.
“Siç jeni në dijeni punonjësit e sistemit të drejtësisë në Mitrovicë nga viti 2008 e këndej, ku jemi larguar me dhunë nga objekti i jonë në veri të Mitrovicës, punojmë në kushte jashtëzakonisht të vështira për punë. Por, edhe përkundër kësaj, gjyqtarët e kësaj gjykate dhe personeli kanë shënuar rezultate të mira dhe efikasitet në kryerjen e punëve”, ka deklaruar kryetarja e gjykatës, znj. Bunjaku-Perçuku.
Në anën tjetër, Shefi i Eulex-it z. Meucci duke theksuar lartë këtë bashkëpunim, tha se gjyqtarët dhe personeli i gjykatës kanë bërë një punë të rëndësishme për komunitetin.
“Kam ardhur këtu t’i dëgjoj mendimet e juaja se si e parashihni të ardhmen, sepse fundi i fundit ne e kryejmë punën tonë si mision, por ju jeni aktorë në vendngjarje, jeni në skenë. Jeni duke e bërë një punë thelbësore, një punë shumë të rëndësishme për komunitetin”, tha Meucci.
- Advertisement -