Shaqiri për CNN: Nuk i dihet, mund të luaj edhe për Kosovën

 

Xherdan Shaqiri konsiderohet si një prej yjeve të kombëtares zviceriane dhe ekipeve të tjera, me të cilat ka luajtur dhe gjithnjë ka shkëlqyer. Ndaj dhe gazetari sportiv i CNN, Don Riddell i ka kushtuar një hapësirë të veçantë në kronikat e tij.
Në intervistën për Riddell, Shaqiri sqaron arsyet pse për momentin nuk e sheh veten pjesë të  kombëtares së Kosovës, pavarësisht se ekipi ende nuk është pjesë e FIFA-s apo UEFA-s.
Shaqiri: “Për momentin jam i kënaqur që luaj me Zvicrën. I kënaqur që i kthej Zvicrës atë që më jep mua dhe familjes sime. Në të ardhmen nuk e di se çfarë do të ndodhë. Është normale që dua gjithashtu edhe Kosovën. Për mua tani për tani është vetëm Zvicra.”
Për Riddell, Shaqiri thotë se i pëlqen të jetojë në Zvicër dhe të jetë pjesë e mentalitetit të këtij vendi, që prej kohësh ka qenë një magnet për emigrantët e huaj, pavarësisht se vitin e kaluar vendosi të kufizojë kuotat e pranimit të tyre.
Shaqiri: Kam lindur në Kosovë. Prindërit e mi janë nga Kosova. Unë jetoj në Zvicër, me mentalitet zvicerian. Kur shkoj në shtëpi në Kosovë jetoj me mentalitet shqiptar.”
Përpikmëria, bën dallimin mes dy mentaliteteve.
Shaqiri: Koha, mendoj se zvicerianët janë gjithnjë të përpiktë me kohën, ndërsa shqiptarët jo.”
Në ekipin zvicerian nuk ndihet i huaj, pasi mes  23 futbollistëve, 15 kanë prejardhje të huaj, madje 6 janë të huaj, ndër të cilët bashkëatdhetarët e tij Granit Xhama e Valon Berhami.
Aktualisht ai është pjesë e Interit, ekipi që po kërkon të rigjejë shkëlqimin e dikurshëm, ku sëbashku me lojtarët e tjerë përpiqet të tregojë se çdo të thotë të bashkëpunosh për një gol të përbashkët./Tv Klan/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT