Shanset e humbura, terroristët e Parisit ishin ndaluar disa herë nga policia (Video)

Disa prej atentatorëve të Parisit nuk ishin të panjohur për autoritetet belge, çka e përligj akoma më shumë pyetjen: si mundën këta njerëz t’i rrëshqisnin nga duart zyrtarëve të zbatimit të ligjit?

Vitin që shkoi, belgët kishin mbajtur nën përgjim telefonin e njërit prej kamikazëve e madje edhe kanë ndaluar shkurtimisht dhe marrë në pyetje dy të dyshuar të tjerë; njërin sepse pat udhëtuar drejt Sirisë, tjetrin për shkak të pikëpamjeve radikale.
Prokurorët shtetërorë i qenë vënë pas edhe atij që besohet të jetë arkitekti i sulmeve të përgjakshme, Abdelhamid Abaaoud, sepse kishte tërhequr pas vetes vëllain 13-vjeçar për t’iu bashkuar militantëve të ISIS-it.
Të mërkurën, forcat policore e ushtarake franceze mësynë një ndërtesë të Saint Denis, ku gjatë operacionit u vranë të paktën 2 persona, një nga të cilët, sipas disa zyrtarëve të lartë evropianë, ishte vetë Abbaoudi.
Shkalla e lartë e ndërgjegjësimit mbi këta njerëz dhe shanset e humbura të policisë e agjencive të inteligjencës për t’i ndaluar përpara se ta vinin në jetë planin e tyre gjakësor, tregon sesa të vështirë e kanë shërbimet e sigurisë të mbikëqyrin me qindra mijëra vetë e të arrijnë të dallojnë mes tyre se kush mund të organizojë akte të dhunshme.
Agresorët e Parisit jo vetëm konsideroheshin persona të dyshuar nga policia, por kërkues belgë e madje edhe gazetarë ishin vënë në gjurmët e tyre duke i kontrolluar postimet në mediat sociale.
Emrat e 3 prej atentatorëve rezultojnë në listën e 800 belgëve të dyshuar për lidhje me grupe terroriste, listë kjo e hartuar nga njësia belge e koordinimit për vlerësimin e kërcënimeve, një grup këshillimor i qeverisë. Franca ka gjithashtu një listë të ngjashme me 1.200 emra.
Por ekspertët mendojnë se shërbimet belge të sigurisë kanë mjaft boshllëqe, duke nisur nga numri i pamjaftueshëm i njerëzve për ndjekjen e të dyshuarve si ekstremistë, mungesa e ndihmësve arabfolës, legjislacioni tepër i butë me armët, apo shtresëzimi i autoritetit qeveritar./Tch

- Advertisement -

MË TË FUNDIT