Veriun e Kosovës po vazhdon ta mbajë të tensionuar Serbia nëpërmjet serbëve që jetojnë në atë pjesë.
Veriun e Kosovës po vazhdon ta mbajë të tensionuar Serbia nëpërmjet serbëve që jetojnë në atë pjesë. Situata në atë pjesë të vendit, sipas interesit të Serbisë, mund të përkeqësohet në çdo aspekt sa herë t’i duhet Serbisë, e cila vazhdon t’i mbajë të instrumentalizuar serbët.
Njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se me anë të këtyre incidenteve Serbia mundohet ta mbajë situatën e tensionuar në veri derisa të arrijë qëllimet e veta. Ata e shohin me skepticizëm të madh punën e qeveritarëve tanë në përpjekjen për integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, madje thonë se zgjedhjet e reja në komunat me shumicë serbe vetëm sa legjitimuan strukturat udhëheqëse të Serbisë brenda strukturave udhëheqëse të Kosovës, pasi tani thuaja asnjë prej kryetarëve të këtyre komunave nuk e njeh sistemin e juridiksionit të Kosovës dhe lidhjet i mbajnë edhe më të forta me Serbinë.
Naim Maloku, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë për KosovaLive se këto janë sjellje normale të Serbisë në veriun e Mitrovicës, e cila mundohet që përmes këtyre incidenteve ta mbajë situatën e tensionuar atje dhe të mbajë atë pjesë për vete derisa t’i arrijë qëllimet për të krijuar asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive ku është edhe qëllimi i tyre final për momentin.
“Policia e Kosovës e ka shtrirjen në veri si dhe ka policë të etnitetit serb atje, e edhe nëse grupet e organizuara marrin ndonjë aksion për të shkaktuar incidente nuk do të thotë që policia e Kosovës nuk është atje dhe nuk ka mundur t’i parandalojë. Unë mendoj se do të ketë incidente të këtyre intensiteteve edhe në të ardhmen”, ka thënë Maloku.
Ai thekson se institucionet e Kosovës aktualisht janë bllokuar në procesin e dialogut, në njërën anë kërkesat e Serbisë për të avancuar Asociacionin e komunave serbe mbi marrëveshjen e 19 prillit me kompetenca ekzekutive dhe pala kosovare, e cila aktualisht nuk mundet të lejoj formimin e një shteti brenda shtetit të Kosovës.
“Një gjë e tillë do të kishte pasoja afatgjate pastaj për integritetin territorial dhe gjenerimin e mirëfilltë të institucioneve të Kosovës”, ka vlerësuar Maloku.
Naim Rashiti, analist i Grupit të Ballkanit për politika, ka thënë për KosovaLive se situata në Mitrovicë është aq jo stabile sa s’ka qenë ndër vite dhe në faza të ndryshme tensionohet edhe më shumë.
Ai ka theksuar se këtë vit kur pritet të avancoj integrimi dhe heqja e strukturave të Beogradit, potenciali për tensione është më i madh.
“Për shumë vite në veri nuk ka pasur rend dhe është një situate e re, e cila do të marr kohë për normalizimin dhe bërjen e saj sikur në jug. Njerëzit atje kanë vepruar si të duan dhe ka funksionuar apo ka qenë relativisht qetë, sepse askush nuk është penguar në aktivitetet e tyre çfarë që kanë qenë ato, e në veçanti të krimit. Të shohim sa shpejt do të funksionalizohen gjykatat dhe të fillojë një rend i ri”, ka thënë ai.
Sipas tij, tensionet që përkojnë me integrimin dhe kthimin e banorëve shqiptar do të rriten megjithatë dhe do të shohim momente të vështira.
Sa i përket integrimit të policëve serb, Rashiti thotë se ka qenë relativisht i suksesshëm dhe një storje e mirë, megjithëse ai shton se ata nuk do të pozicionohen kundër kryetarëve të komunave serbe.
“Pastaj mungojnë gjykatat. Është e rëndësishme që veriu të integrohet politikisht dhe që kryetarët e komunave të respektojnë ligjet e vendit dhe të bashkëpunojnë mirë me qeverinë. Po ashtu është shumë e rëndësishme që Qeveria në Prishtinë të bëjë me shumë këtë punë”, ka thënë Rashiti.
Në këtë aspekt, ai ka potencuar se më e rëndësishmja është që Beogradi duhet të heq dorë nga kontrolli i veriut dhe të inkurajojë njerëzit të integrohen.