Serbët vendosin katër bllokada në Jarinjë

Që nga mëngjesi i djeshëm situata në veriun e Kosovës është më e tensionuar.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë lidhur me targat e automjeteve, bëri që serbët të kundërshtojnë një vendim të tillë madje duke protestuar në pikën kufitare në Jarinje e Bërnjak.

Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës u vendosën në Jarinje për të kontrolluar nga afër situatën që mund të eskalonte nga minuti në minut shkaku i këtyre kundërshtimeve.

Por mbrëmë dhe sot situata është thuajse edhe më e rënduar.

Serbët të cilët dje kundërshtonin zëshëm këtë vendim mbrëmë filluan edhe të ofendonin e të brohorisnin “Kosova është Serbi”, duke provokuar nga afër zyrtarët policorë të cilët po kujdesen për sigurinë në këtë pjesë.

Ekipi i lajmi.net ka qëndruar sot në këtë pikë kufitare për të parë nga afër situatën e krijuar.

Qytetarët serbë të cilët janë në këtë anë kanë vendosur të dy anët e rrugës.

Në shenjë proteste ata bllokuan hyrje-daljet në Jarinje, në shenjë proteste kundër vendosjes së reciprocitetit për targat e automjeteve.

Për rreth dy kilometra rruga është bllokuar pasi në katër pika janë vendosur automjete të rënda, të cilat janë bllokada për kalimin në këtë anë.

Derisa serbët vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë edhe me veturat e tyre, forca të shumta të Policisë së Kosovës janë duke vëzhguar situatën, mirëpo deri tani nuk raportohet për ndonjë incident.

Lidhur me vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve pati reagime edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që të dyja kërkuan nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet, duke theksuar se dialogu është e vetmja zgjidhje.