Rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në Kroin e Vitakut në Mitrovicë është penguar sot sërish nga dhjetëra qytetarë serb.
KosovaPress mëson se ky grup i qytetarëve serb ka sulmuar sot rreth orës 09:30 një ekskavator të kompanisë “Euro Ndërtimi”, i cili ishte duke punuar në rindërtimin e gjashtë shtëpive të shqiptarëve në këtë lagje.
Disa nga banorët shqiptarë kanë thënë për KosovaPress se iniciator dhe kryeprotagonist i krejt kësaj ngjarje është personi me emrin Dragutin.
Ata janë shprehur të indinjuar për faktin se pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk po e arrestojnë.
Në shenjë revolte shqiptarët kanë bllokuar rrugën Suhodoll – Mitrovicë duke ndaluar kështu qarkullimin e rrugës.
Ata në rrugë kanë vendosur automjete të ndryshme të tyre vetëm për të ndalur qarkullimin.
KosovaPress mëson se aktualisht situata është e tensionuar për shkak se ka qytetarë të tubuar të të dyja komuniteteve dhe ka një prezencë të shtuar të pjesëtarëve të policisë.