Pavarësisht se jetojnë në komuna të Kosovës, e shpenzojnë para nga buxheti i shtetit, nuk i njohin dokumentet zyrtare të shtetit të Kosovës.
Janë plot 90 mijë serbë të Kosovës, që janë të pajisur me letërnjoftime të Kosovës, mirëpo ende ka prej tyre që përdorin letërnjoftime ilegale të strukturave paralele, shkruan Indeksonline. E tërë kjo bëhet e ditur në faqen e Qeverisë së Kosovës.
“Është me rëndësi të përmendet që mbi 90.000 serbë të Kosovës janë pajisur me letërnjoftime të Republikës së Kosovës, gjë që tregon trendin në rritje të reintegrimit të tyre në sistemin e Kosovës. Mirëpo, ende ka individë që përdorin letërnjoftimet ilegale të lëshuar nga strukturat paralele”, bëhet e ditur në raport.
Mirëpo kjo çështje nuk shihet se mund të zgjidhet pa ndihmën e Bashkimit Evropian, prej të cilës marrëevshje me 7 mars 2016, thuhet t’i jetë dhënë fund këtij ilegaliteti nga ana e serbëve.
“Në kuadër të grupit punues për MIK, Kosova e ngriti sërish këtë çështje më 7 dhe 8 mars 2016 në Bruksel dhe u kuptua pozitivisht nga ana e BE-së. BE-ja ka premtuar që do të ofroj propozim që me një proces tranzicioni ti jepet fund letërnjoftimeve ilegale”, bëhet e ditur më tej.
Nuk duket të jenë vetëm letërnjoftimet dokumentet ilegale, që serbët i përdorin prej strukturave paralele, atyre në vetura nuk u figurojnë as targat e regjistrimit “RKS”.
Në janar të vitit 2016, thuhet se është arritur një marrëveshje që kjo të zgjidhet me reciprocitet, mirëpo në takimet e mbajtura mes dy vendesh, Kosova thuhet se ka insistuar që të ndërpres zbatimin e masave të përkohshme në mënyrë të njëanshme.
“Kosova ka insistuar që Serbia duhet të ndërpresë zbatimin e masave të përkohshme në mënyrë të njëanshme dhe kërcënoi me vënien e masave reciproke. Ajo deklaroi që nëse Serbia nuk i heq tabelat “provuese” për tabelat e regjistrimit ‘RKS’ të automjeteve të Kosovës, atëherë Kosova do të përdorte të drejtën e garantuar nga Marrëveshja për të zbatuar masa reciproke për automjetet që vinë nga Serbia”, bëhet e ditur më tej.