Ditën e djeshme u formua qeveria e re në Kosovë me kryeministër Avdullah Hotin. Për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, kjo qeveri është ilegjitime, ndaj dhe sot ish kryeminstri ka dhënë firmën e tij në peticionin për zgjedhje të reja.

Në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, kryetari i Grupit Parlamentar të VV Rexhep Selimi, tha se presidenti Thaçi dhe partitë e tij vasale i kanë tmerr zgjedhjet e reja, sepse sipas sondazheve, Vetëvendosje është superiore ndaj subjekteve të tjera politike.

Rexhep Selimi: ”Institucioni që vendos për zgjedhje të reja është edhe parlamenti i cili ka të drejtë të shpërndajë vetveten por edhe presidenti i cili do duhej të shpallte zgjedhje. Kjo e dyta nuk besoj që e presim për shkak se jo vetëm presidenti por edhe partitë vasale të tij i kanë tmerr t’i shohin zgjedhjet sepse të gjitha sondazhet dhe matjet në opinion nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosjen superiore ndaj të gjitha subjekteve të tjera politike.”

Sipas Selimit, qeveria e re u formua teksa qytetarët ishin të mbyllur në shtëpi për shkak të pandemisë, por virusi nuk do jetë gjithmonë në mbrojtje të tyre.

Rexhep Selimi: ‘Mund të kishte protesta edhe dje kur është votuar qeveria ilegale dhe ilegjitime, por për shkak të pandemisë, për shkak të rrezikut që mund të ketë nëse qytetarët mblidhen në formë më të madhe sesa deri më tani. Por kjo nuk do të thotë se në ditët në vijim, sapo të krijohen kushtet qytetarët e Kosovës do rrinë në shtëpinë e tyre. Opinioni tashmë e ka kuptuar që edhe mocioni i mosbesimit erdhi kur qytetarët ishin të mbyllur për shkak të koronavirusit. PO asthu e dinë që ata u ngutën që gjatë pandemisë u ngutën që ta zgjidhin qeverinë ilegale dhe ilegjitime. Por qytetarët e Kosovës nuk do rrinë gjithmonë në shtëpi dhe virusi nuk do jetë gjithmonë në mbrojtje të tyre.”