“SculpFest”-i sjell rrëfime nga Prizreni

Qendra e Prizrenit në mbrëmjen e 1 majit do të jetë e shkruar me kube akulli, në të cilat janë vendosur rrëfime të njerëzve nga qyteti i Prizrenit. Puthja e parë në Shatërvan është një rrëfim i dy të dashuruarve. E dikush shkruan se të pishë ujë në Shatërvan mbi kalldrëm do të thotë se prapë do ta vizitosh Prizrenin e bukur.

Dy prindër, fëmija i të cilëve është rrëzuar në kalldrëmin e qytetit të Prizrenit, kanë vendosur që këtë përvojë ta ndajnë me të tjerët. Në një copë letre ata kanë rrëfyer një nga ngjarjet që u ka ndodhur në rrugët e qytetit të vjetër, ku fëmija i tyre është rrëzuar dhe ka lënduar kokën në gurët e Shatërvanit dhe tani nuk i duan ata gurë.

Bashkë me këtë rrëfim deri më tani janë mbledhur mbi 15 mijë të tillë, ndërsa deri më 1 maj, kur do të nisë festivali i skulpturës “SculpFest”, do të jenë gati për t’u shfaqur para publikut 20 mijë rrëfime të njerëzve me përvojën e tyre në Prizren. “Një rrëfim është i një femre që i është thyer takja e këpucës në kalldrëm derisa po ecte nëpër qytet”, tregon për  “Zërin” Leutrim Fishekqiu, drejtor ekzekutiv i “SculpFest”-it, derisa ka thënë se ka shumë përjetime nga më të ndryshmet.

“Ka të atilla që janë qesharake, por që janë origjinale me të cilat njerëzit ballafaqohen çdo ditë kur shkelin në kalldrëmin e Shatërvanit”, është shprehur Fishekqiu, duke thënë se ka tema nga më të ndryshmet, të cilat kanë rrëfyer njerëzit e që do të zbulohen për vizitorët që do të marrin pjesë në mbrëmjen e 1 maji, kur nis festivali.

“Deri më tani janë bërë 15 mijë kube akulli. Këto ditë do të bëjmë edhe 5 mijë dhe 20 mijë aq sa synojmë do të bëhen deri më 1 maj, kur hapet festivali”, ka thënë Fishekqiu, derisa ka treguar se iniciativa për mbledhjen e 20 mijë rrëfimeve të njerëzve janë duke u klasifikuar dhe janë duke u futur brenda kubeve të akullit. “20 mijë kubet e akullit do të vendosen në qendër të Prizrenit, në kalldrëmet, në Shatërvan.

Njëra nga rrugicat në qendër do të shtrohet me kube të akullit që i bie 20 mijë kalldrëme, të cilat brenda do të kenë rrëfimet e njerëzve”, ka thënë Leutrim Fishekqiu, teksa ka treguar se performanca do të zgjasë dy deri në tri orë.

“Derisa kubet e akullit do të shkrihen dhe njerëzit do të mundë t’i marrin shkrimet që mbesin t’i lexojnë dhe t’i shohin rrëfimet e secilit”, është shprehur Fishekqiu, për të shtuar se ka një muaj që është duke vazhduar kampanja. Në natën e hapjes së festivalit, krahas kubeve të akullit, do të jetë edhe një performancë me muzikantë nga Prishtina, si Ilir Bajri, Visar Kuçi dhe të tjerë. “Do të jetë diçka shumë interesante, e veçantë.

Po e krijojmë një kombinim mes xhazit dhe muzikës eksperimentale”, është shprehur ai, teksa ka treguar se kubet e akullit do të shfaqen për publikun prej orës 20 e 30 minuta e kjo do të vazhdojë deri pasmesnate, derisa të shkrihen kubet e akullit.

“Çdo vit festivali është mbajtur në shkurt. Këtë vit kemi vendosur ta organizojmë në muajin maj për shkak të kohës që është më e nxehtë, që të përfshihet një publik pak më i madh në këtë organizim”, ka thënë Leutrim Fishekqiu për gazetën, për të shtuar se gjithë ky festival po organizohet dhe po realizohet nga “Autostrada Bienale”.

“I bie që “Autostrada Bienale” po e shtron një rrugë jo siç jemi mësuar në asfalt, por një rrugë të artit, të trashëgimisë kulturore, të përjetimeve të tregimeve të njerëzve. Ky është një koncept i ri i joni me të cilin ne do ta ndërtojmë “Autostradën Bienale”, që do të jetë një aktivitet dyvjeçar si “Bienale e Artit Bashkëkohor” që do të fillojë nga viti 2017”, ka thënë Fishekqiu, duke shtuar se pas dy vjetëve do të fillojë “Autostrada Bienale”. “Ky edicion i “SculpFest”-it është një ngjarje që i paraprin “Autostradës Bienale”.

Është një organizim i vogël që do të kthehet në një organizim të madh”, ka thënë Fishekqiu, derisa ka treguar se në natën e dytë të edicionit të katërtë të festivalit të skulpturës do të ketë artistë nga shtete të ndryshme që do të performojnë, si nga Suedia, Shqipëria, Kosova, Italia, Maqedonia dhe Serbia.

“Në ditën e tretë do të ketë punëtori. Tema e punëtorisë është “Arti bashkëkohor në një mjedis të shëndoshë”, pastaj do të ketë dy fjalime të artistëve dhe do të jetë një ligjëratë, ku do të flitet për rëndësinë e diplomacisë kulturore”, ka thënë Leutrim Fishekqiu, teksa ka shtuar se gjatë kësaj jave do të konfirmohet ardhja e të gjithë pjesëmarrësve dhe do të shpalosen të tjera detaje rreth këtij edicioni.

“Në secilin edicion të “SculpFest”-it shtjellohen probleme, tema sociale që janë aktuale dhe në këtë rast për shkak të mënyrës së aktiviteteve në kuadër të artit bashkëkohor ne kemi marrë vendim që të fillojmë me “Autostradën Bienale” për ta pasuruar skenën e artit bashkëkohor në Kosovë, ky është qëllimi ynë”, ka thënë Fishekqiu, për të shtuar se përkrahja për këtë vit ka qenë në rritje, si nga vizitorët ashtu dhe nga ana buxhetore.

“SculpFest”-i, që do të mbahet nga 1 deri më 3 maj në qytetin e Prizrenit, do të ketë aktivitete të ndryshme, një cikël të ngjarjeve artistike, përfshirë prezantime të ndryshme të artistëve, skulptura-instilacione, videodokumentar, punëtori, performanca dhe muzikë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT