Sami Lushtaku
Fotografia nga Sefer Aliqkaj

Ish kryetari i Skenderajt për disa mandate, Sami Lushtaku nesër do ta shpallë zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Skenderajt, transmeton “Indeksonline”.

Ai ka ftuar përkrahësit e tij, që të jenë prezent në momentin e zyrtarizimit të tij si kandidat.

“Ju ftoj që të hënën me 19 Korrik 2021 në orën 19:00, në Restaurantin Atlantic në Skenderaj, të zyrtarizojmë kandidaturën time për kryetar të komunës së Skenderajt për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”, ka shkruar Lushtaku në llogarinë e tij në “Facebook”.

Por, një ditë më herët kandidaturën për kryetar të kësaj komune e ka shpallur edhe kryetari aktual, Bekim Jashari.

Deri më tash nuk dihet se si do të veprojnë partitë tjera.

A do të nxjerrin kandidatët e tyre, apo do ta përkrahin Bekim Jasharin.

Ky i fundit u mbështet pothuajse nga të gjitha partitë tjera politike në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Sami Lushtaku ditë më parë ka deklaruar për “Indeksonline”, se e ka konsultuar ligjin dhe se nuk ka asnjë pengesë për të qenë kandidat për të parin e kësaj komune.

Në anën tjetër, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci pati deklaruar se Lushtaku do të tërhiqet në momentet e fundit dhe nuk do ta sfidoj Jasharin për kryetar të Skenderajt.

Kësisoj, gara për kryetar të Skenderajt do të jetë më interesantja zhvilluar pasluftës në Kosovë, pasi që 21 vite, PDK ka fituar bindshëm çdo proces zgjedhor në këtë komunë.