Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, kandidatë për deputetë dhe struktura të degës së PDK-së në Skenderaj, në takime të ndara, kanë bashkëbiseduar me qytetarë të Runikut dhe të Prekazit. Në Prekazin e vogël ishte një tendë për t’i zënë të gjithë të interesuarit për ta takuar Lushtakun. Simpatizantë e anëtarë të PDK-së janë zotuar se në Prekaz, vota është përherë për Sami Lushtakun.

“Prekazi si gjithmonë, fuqishëm e masivisht në mbështetje të Partisë Demokratike të Kosovës. Ky mobilizim dhe kjo përkrahje mesazh të vetëm e ka fitoren e PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit”, ka shkruar Lushtaku në rrjetin social facebook.

Ndërkaq, në Runik, Lushtaku ka takuar qytetarët, të cilët janë mbledhur edhe nga fshatra të afërta. Edhe në këtë bashkëbisedim, ata janë zotuar, se Partia Demokratike është subjekti i vetëm politik që mund ta drejtojë Kosovën.

“Runiku ka qenë dhe mbetet vatër e Partisë Demokratike të Kosovës. Mbështetja për Partinë Demokratike të Kosovës nga këtu është pjesë e traditës të cilën Runiku e vazhdon për 20 vite me radhë. Vota për PDK-në është votë për Kosovën!”, ka shkruar Lushtaku ne rrjetin social facebook.