“Jam i pastër si loti me drejtësinë për të garuar në zgjedhjet lokale”.

Kështu beson kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Kandidaturën e bëri publike të premten, por të shtunën “lindën dyshime” nëse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për personat e dënuar në tri vitet e fundit ia lejon Lushtakut t’i pri PDK-së në bastionin kryesor të kësaj partie.

Lushtaku në përgjigjen dhënë Insajderi-it, deklaroi se “ka dënime me gjoba, jo me burg”, shton se “është konsultuar me juristë para se ta shpallë kandidaturën”.

Por, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i tha Gazetës Online Insajderi se “Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë dallime në mes llojeve të dënimeve”.

“Gjykata Kushtetuese se ka bërë dallimin as dënim me kusht, me gjobë apo me kusht. I ka vendosur të gjitha në një vend”.

Kjo sipas, Miftaraj, “është pengesë juridike” për Lushtakun që të kandidojë në zgjedhjet e vjeshtës të këtij viti.

Drejtori i IKD-së edhe për “rastin Kurti”, kishte thënë se vendimi i 21 dhjetorit nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese ia ndalon atij kandidimin për deputet.

Një dekret i tillë nuk ishte refuzuar nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa e as nga Gjykata Supreme.

Atëbotë, Sami Lushtaku – oponent i Kurtit, kishte shprehur keqardhje për moskandidimin e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e kishte rrëzuar Qeverinë Hoti, pikërisht për shkak të votës vendimtare nga deputeti, Etem Arifi – i dënuar me burg për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Për këtë juristët që Lushtaku i ka konsultuar, emrat e të cilëve nuk i përmendi – besojnë që “dënimi me gjobë” dallon nga “ndëshkimi me burg”.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës edhe në të kaluarën ka pasur punë me gjykatat vendore.

Ai në vitin 2017 nuk kishte kandiduar për kryetar të Skenderajt.

Jo për shkak të ndalesave juridike, por e kishte mbështetur Bekim Jasharin për pozitën e të parit të kësaj komune.

Megjithatë, me Jasharin, Lushtaku vitin e fundit ka pasur konfrontime verbale.

Tash nëse ligji nuk del pengesë ata do t’i shohim kundërshtar direkt për ta synuar karrigen e kryetarit të Skenderajt. /Insajderi.com