Sami Lushtaku i kundërpërgjigjet Ramiz Lladrovcit: Ai është fallxhor, me Bekim Jasharin s’jemi në luftë

Sami Lushtaku, i është kundërpërgjigjur bashkëpartiakut të tij, Ramiz Lladrovcit, në lidhje me deklaratën se Lushtaku nuk do të kandidojë për kryetar të Skenderajt, ani pse ky i fundit zyrtarisht e ka shpallur kandidaturën.

Lladrovci gjithashtu deklaroi mbrëmë se Lushtaku me Bekim Jasharin janë dakorduar, që ai të largohet nga gara për të parin e kësaj komune.

Për krejt këto, ka reaguar Sami Lushtaku.

Ai e ka quajtur fallxhor, Ramiz Lladrovcin, derisa ka mohuar se ka heq dorë nga kandidimi për të parin e Skenderajt.

“Ramiz Lladrovci është fallxhor. Unë takohem për kafe me Bekim Jasharin, nuk ka asgjë aty, nuk jemi marr vesh për asgjë. Unë do të jem kandidat i PDK-së, për kryetar të Skenderajt, nuk ka ndryshuar asgjë, do t’i hyjë kësaj gare, nuk ka marrëveshje me Bekimin”, ka theksuar.

Por, Sami Lushtaku dhe Bekim Jashari nuk kanë pasur raporte të mira, siç thotë tash Lushtaku.

Kujtojmë se të dy këta pak muaj më parë kanë pasur përplasje të ashpra mes vete.

Jashari, kishte thënë se sipas informatave që i ka marrë ai nga qytetarët, Sami Lushtaku ka qëndruar larg fronteve të luftës, derisa ka theksuar se për pesë vite Lushtaku ka qëndruar në Gjermani nga viti 93 deri në vitin 98.

Jashari po ashtu e kishte akuzuar Lushtakun për blerje ville në vitin 1998.

“Nuredin Lushtaku dhe Bashkim Jashari kanë qëndruar gjatë tërë kohës tek Lagja e Lushtakëve. Nura dhe Bashkimi kanë thënë se Samia shumë rrallë ka ardhur tek Lushtakët edhe kur ka ardhur ka ndjetë pak dhe ka ikë. Ka ndjetë në Kotorr edhe Radishëve me njësinë speciale të UÇK, së, atje s’ka pasur zone luftë”, kishte thënë Jashari.

Kjo deklaratë pastaj nxiti reagime edhe nga ana tjetër.

Sipas Lushtakut asokohe, Bekim Jashari po e keqpërdor emrin e familjes Jashari me deklarata të tilla dhe se po bën gabim të madh.

Tutje Lushtaku i kishte thënë Jasharit se ai vjen nga një familje e mirë, por se është djalë i keq.

Ndërsa tash, pas ca muajsh gjithçka duket ndryshe. Derisa Lushtaku thotë se me Bekim Jasharin s’janë në luftë mes vete.

Ai pohoi se mund të kenë qëndrime politike të ndryshme, mirëpo theksoi se nuk kanë asnjë mosmarrëveshje.

“Nuk kemi ndonjë mosmarrëveshje me Bekim Jasharin, ne politikisht mund të kemi qëndrime të ndryshme, por në luftë s’jemi mes vete”, përfundoi Lushtaku për Insajderin.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT