Ruajuni nga hajnat!

Kosova me 1510 raste të vjedhjeve në tre muajt e parë të këtij viti

Dukuria e vjedhjeve çdo ditë e më shumë po merr përmasa shqetësuese për qytetarët e vendit tonë. Në dyqane, shtëpi dhe banesa private, apo edhe në rrugë, kudo janë premisat që të jesh një viktimë e vjedhësve.

Beqir Shala, banor në rrugën ‘Rexhep Luci’ të kryeqytetit, ka treguar për KosovaPress se në lagjen ku jeton është mjaft e përhapur hajnia dhe plaçka, madje siç shprehet ai, kjo është bërë thuajse përditshmëri dhe shqetësim i madh për ta.

Shala nuk është i kënaqur as me organet e rendit, pasi sipas tij ato nuk po angazhohen sa duhet në këtë drejtim. Në të kundërtën, nëse organet kanë vullnet më të madh, atëherë mund të bëjnë më tepër në parandalimin dhe kapjen e kryesve të kësaj vepre penale, thotë ai

Ndërsa, qytetarja tjetër Mirlinda Murseli, banore e lagjes ‘Fehmi Agani’ të kryeqytetit, thotë se edhe në këtë lagje vjedhja është shumë e përhapur si dukuri. Ajo vetë ka dëgjuar për raste të ndryshme ku banorët kanë qenë cak i vjedhjeve, dhe për këtë ajo kërkon që organet e rendit të jenë më efikase në misionin që kanë.

Shaban Rama, banor i lagjes ‘Tophane’, ka thënë për KosovaPress, se në përgjithësi ka dëgjuar për rastet e shpeshta të vjedhjeve që ndodhin gjithandej në kryeqytet dhe mbarë vendin. Ai shprehet me indinjatë dhe mllef kur thotë se ‘tani në këtë kohë të gjithë në njëfarë mënyre janë bërë hajna’. Më e keqja, sipas tij, është ajo se institucionet nuk po ndërmarrin e as nuk po bëjnë asgjë në këtë aspekt

Zëdhënësi për informim në Policinë e Kosovës (PK), Daut Hoxha, tha për KosovaPress, se PK bazuar në kompetencat ligjore, vazhdimisht realizon detyrat dhe përgjegjësitë e saj në funksion të krijimi të një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit.

Më tej, Hoxha ka nënvizuar se PK-ja ka në dispozicion 24 orësh njësitë patrulluese policore duke përfshirë edhe njësitet në rroba civile, të cilat sipas nevojave apo kërkesave që paraqiten nga qytetarët, reagojnë në tërë vendin .

Hoxha ka bërë me dije se nëse krahasohet tre mujori i parë i vitit të kaluar me tre mujorin e këtij viti, rezulton se ka një rënie të theksuar të rasteve të vjedhjeve.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, ka thënë përmes telefonit për KosovaPress, se janë bërë shumë shqetësuese rastet e shpeshtuara të vjedhjeve çoftë nëpër banesa dhe shtëpi private, por edhe në biznese, etj.

Ai mendon se këtu policia po e kryen sado kudo detyrën e saj por janë organet e gjyqësisë ato që praktikisht nuk po i trajtojnë këto lëndë me seriozitetin e duhur dhe kryesit e këtyre veprave po i lëshojnë, duke ndikuar kësisoj që ata prapë të i përsërisin vjedhjet.

Maloku nënvizon se me ardhjen e verës, praktikisht Kosova po hyn me këtë dukuri jashtëzakonisht shqetësuese që do të shkaktojë vetëm nervoz, brenga dhe shqetësim për qytetarët e vendit.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT