Rrjet i ri elektrik për disa fshatra të Skenderajt

Në bazë të prioriteteve të Komunës së Skenderajt, KEDS ka filluar shtrirjen e rrjetit të ri elektrik në Lagjen 6 të Skenderajt, në fshatin Makërmal dhe një pjesë të fshatit Kopiliq i Poshtëm.

Rrjeti elektrik nëpër këto vendbanime të Komunës së Skenderajt po realizohet në bazë të nevojave të qytetarëve dhe prioriteteve të Komunës së Skenderajt, si dhe falë bashkëpunimit të frytshëm me KEDS, thuhet në komunikatën e Komunës së Skenderajt.

“Investimet në këtë fushë përfshijnë shtrirjen e rrjetit elektrik kabllor dhe vendosjen e trafostacioneve të reja”.

“Lagja 6 e Skenderajt, fshati Makërmal dhe një pjesë e fshatit Kopiliqi i Poshtëm kanë pasur problem në furnizim me energji elektrike për shkak të rrjetit të vjetruar dhe mungesës së trafostacineve të mjaftueshme”, thuhet në komunikatë.

Fadil Nura, Nënkryetar i Komunës së Skenderajt, duke shprehur edhe praktikisht përkrahjen për këto investime që po bënë KEDS, ka vizituar lokalitete ku po punohet në përmirësimi të furnizimit me energji të qytetarëve të Skenderajt. Ai ka shprehur kënaqësinë për këto investime që janë prioritet për jetë më të mirë të qytetarëve.

Në bazë të nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të adresuara nga Komuna e Skenderajt, KEDS në vitin e ardhshëm do të investojë në rrjetin elektrik në fshatin Lubavec dhe në fshatrat e tjera të Skenderajt që kanë probleme me furnizim më energji elektrike.