Rreth 350 mijë euro pritet t’i kushtojë komunës së Skënderajt ndërrimi i një parcele toke me një person privat

Shkruan Hysni Mehani

Oligarki mbi patriotizmin

Rreth 350 mijë euro pritet t’i kushtojë komunës së Skënderajt ndërrimi i një parcele toke me një person privat. 350 mijë euro dënim i gjykatës shqiptuar komunës për të rifilluar sërish nga pika zero. 350 mije euro të shkuara dëm. Ajo që kishte ndodhur në kohën e qeverisjes së kaluar, po rifillon nga pika zero tash me qeverisjen e “re”.

Oligarki quhet mënyra e qeverisjes kur të fortët e biznesit caktojnë vendimet e politikës.
Patriotizëm se çka quajmë dihet, edhe pse tek ne keqkuptohet. Patriotët u shndërruan në biznesmenë, dhe rrjedhimisht oligarkinë ia mbivendosen patriotizmit.

Por t’i kthehemi temës! Kur komuna kishte vendosur ta ndërroi tokën me personin privat, këtë e kishte bërë në emër të realizmit të një interesi të përgjithshëm. Dhe, ja çka nënkupton realizimi i një interesi të përgjithshëm kur oligarkia i mbivendoset patriotizmit, e patriotizmi politikës?

Një parcelë tokë që e menaxhon AKP-ja, nuk konkuron direkt privati për ta marrë, por në emër të privatit e bën komuna, dhe në kërkesën që i drejton komuna AKP-së, komuna i thotë AKP-së se ajo parcelë po i duhet për të realizuar një interes të përgjithshëm. Komuna kryen të gjitha procedurat, e tek pasi t’i ketë kryer të gjitha punët komuna, shfaqet privati. Komuna e hedh në ankand atë parcelë toke për realizmin e interesit të përgjithshëm.

Shfaqet ai privati i cili ka qenë i interesuar për atë parcelë toke dhe e merr me kosto më të ulët. Në fakt, e merr veç me planin e biznesit që do të zhvillojë aty dhe me një qera mujore shpërfillese. Populli e ka një shprehje për raste të tilla; “e merr për një copë bukë.” ose edhe më keq: “për një paketë cigare.”

Kështu realizohet e keqja e përgjithshme në emër të të mirës së përveçme kur oligarkia i mbivendoset patriotizmit, e që në letra emërohet realizim i interesit të përgjithshëm.

Dhe kur një kërkesë e tillë kalon përmes Kuvendit Komunal, nuk ke se si e kundërshton! Sepse rezulton që ti je kundër të mirës së përgjithshme. Me pak fjalë, ti nuk po don që komuna jote të bëhet më e pasur, por po lejon që atë tokë ta merr një privat për realizmin e interesit të përveçëm. Detyrohesh të votosh gjoja PRO interesit të përgjithshëm edhe pse e din që prapa qëndron një interes edhe më i përveçëm. Por edhe sikur mos ta votosh, asamblistët e gjorë që në këmbim të një vendi pune për të siguruar ekzistencën e familjes e kanë shitur votën, e bëjnë votimin që u duhet oligarkëve-patriotë.

Kështu, seancën e kaluar po votonim për t’ia dhanë një parcelë tokë një privati që kishte paraqitur një biznes-plan që premtonte disa dhjetëra punësime. Problemi ishte së qeverisja e kaluar ia kishte premtuar atë parcelë toke një privati tjetër dhe qeverisja aktuale po ia jepte një tjetri. Dhe, ironia ishte se kryetari bënte thirrje që mos ta detyronin: me ia shti terfurkin asaj punë siç thoshte ai, sepse do t’i vinte era. Çështja nuk është te lutja, thirrja, a kërcënimi i kryetarit, quane si të doni. Çështja është se paska hala erë të cilën kryetari po mundohet ta mbulojë, e për të cilën ne nuk jemi në dijeni. Nuk thuhet kot, e keqja s’ka skejë.

Në një tokë pak a shumë të njëjtë kryetari i kishte propozuar kuvendit komunal që ta vendosë parkun e biznesit. Sigurisht, asamblistët e sipërpërmendur votuan. Tokën ku është vendosur tash parku i biznesit, privatët kishin filluar ta blenin nga ata që ishin duke i punuar tokat e AKP-së shumë kohë më parë, para së aty të vendosej parku i biznesit. “Merrni këto pare e ecni, çka bajna na me shtet juve mos t’ua nin.” – u thonin bujqve.

Normalisht, që kur e kishin filluar ta blenin atë tokë nuk e kishin paramenduar se aty do të mbjellin grurë e misër, ngase ishte fitimi i ulët që kishin bujqit e ndershëm që po i cyste të eksploronin mundësi të tjera, përtej përgatitjeve profesionale. E menduan mirë! Nuk kishin pse investonin paratë e tyre, kur infrastrukturën e parkut të biznesit mund ta bënin me paratë e publikes. Por ajo që gabuan ishte se kur ua morrën të drejtën në prona, nuk ua morrën edhe të drejtën e lirisë së lëvizjes. Të kota janë pronat, parqet e biznesit e tjera nëse nuk ka kush të gravitojë në to. Dhe ajo që nuk kuptonin ishte se; sa më e centralizuar të jetë pasuria aq më e sheshtë do të jetë varfëria. Sa më pak duar me para plot, shumë më shumë duarthatë që nuk kanë si t’i konsumojnë produktet e pronave e parqeve biznesore. Logjikë e thjeshtë; kur pasuria grumbullohet, varfëria shpërndahet.

Dhe, duke e zvogëluar fuqinë blerëse, bëhet edhe zhvlerësimi i pronave publike të uzurpuara. Shembull konkret: komuna kishte vënë 1 hektar e 8 ari tokë publike në ankand për 99 vite për të ndërtuar stacionin e autobusëve. Kishte një ofertues i cili ofronte gjysmën e vlerës reale të asaj toke. Kjo sepse, ofertuesi nuk llogariste vlerën reale të tokës, por fuqinë blerëse të atyre që do të gravitojnë në atë stacion të autobusëve në të cilin parashiheshin edhe lokale biznesore.

Logjike edhe më e thjeshtë; duke varfëruar popullin, varfëron vetveten.

Së fundmi, qeverisja e kaluar po trumbeton një kthim të sërishëm sepse po ndihet borxhli për të na shërbyer. Po ua ngjehim. Hiç mos u lodhni. Faleminderit shumë. Më të njëjtin zell po na shërbejnë edhe këta aktualët, veç nëse jeni mërzitur pse po i ndërrojnë emrat e privatëve që u ishin vënë parcelave pubilke.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT