Rrëfimi nga Gradica e Drenasit, axha i 15-vjeçarit: Vrasja ndodhi për mal të shtetit

Sot iu dha lamtumira e fundit 15-vjeçarit A.Muja, i cili dy ditë më parë u privua nga jeta në pyllin e fshatit Gradicë të Drenasit. Ndërkohë, në komë në QKUK po vazhdon të qëndrojë babai i tij Bekimi, i cili po ashtu u plagos me armë zjarri nga fqinjët e tij. Motivi i tragjedisë, sipas familjarëve, është mali i fshatit, në të cilin viktimat kishin shkuar për të marrë dru. Se si erdhi deri te tragjedia, axha i 15-vjeçarit, Sokol Muja, ka dhënë versionin e tij të ngjarjes për Gazetën Express

Sokol Muja tha se vëllai i tij, Bekimi, bashkë me djalin, tashmë të ndjerë, kanë shkuar për të marrë dru për nevoja të tyre. Ndërsa, në vendngjarje ka shkuar dorasi Xhafer Bardhi, bashkë me djalin e tij 19-vjeç, dhe kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre. Sipas tij, mali është pronë e shtetit dhe jo e dorasit.

“Ka ndodh një tragjedi e madhe, vëllai me të birin ka shku në mal të shtetit me marrë dru për nevoja të veta, bashkë me ta kanë qenë edhe tre djemtë e mi. Tre djemtë e mi kanë qenë më poshtë, edhe janë shku aty vëllai me djalin me i ngarku drunjtë . Djemtë e mi tretë kanë qenë më poshtë, djemtë e mi i kanë pa dritat edhe kanë mendu se ka ardhë shumari, janë afru edhe tu u ngjit përpjetë, diku rreth 15-20 metra, pa u afru te vëllai edhe djali i vëllait, ai ka shkrep me armë, Xhaferi, edhe masi ka shkrep Xhaferi, djali i tij, Amir Bardhi, ka shkrep me tjetrën armë, dy armët i kanë pas me vete edhe e kanë bo këtë tragjedi. Djalin e kanë vra në vend, e vëllai është në komë edhe ai veç sa s’ka vdekë”, rrëfeu Muja për Gazetën Express.

“Kurrë në jetë s’kemi pas telashe me ta. Djali i tij, Amiri, që dy vjet punon te unë për nevoja çka t’më vynë ka shpija, ka punu me djalin tim janë në gjeneratë. Kurrë asnjë telashe me ta s’e kam pas, kurrë në jetë”, shtoi ai.

I pyetur nëse dorasi dhe viktima kanë shkëmbyer ndonjë fjalë para tragjedisë, Muja tha se s’kanë folë asgjë.

“Kurrë s’kanë folë, veç ka shku me dritë edhe ka qëllu në ta”.

Ai pohon se mali është pronë e shtetit.

“Në pronë të shtetit nuk mundesh me thanë është prona e jem, nuk ka shku në mal të tij. Edhe në mal të tij me shku nuk vrahet njeri, nuk vrahet sabia 15 vjeç”, thotë ai për Express.

I pyetur nëse familja e dorasit kanë ardhë për ngushëllim, axha i 15-vjeçarit tha se i kanë dërguar dy hoxhallarë.

“Jo s’kanë ardhë me folë familja, dje ma kanë çu hoxhën Mulla Osmani edhe Mulla Dritonin, dje na kanë çu, na jem s’po di as vetë. Tmerr i perendisë, ka ndodh. S’kemi pas kurrë telashe”, tha Muja.

Pjesëmarrës në varrim u pa edhe Mulla Osmani, por i njëjti nuk pranoi të prononcohej për rastin.

Në vendngjarje u pa policia dhe një autoambulancë
Ndërsa, Sokol Muja tha se vëllai i tij Bekimi që po vazhdon të qëndrojë në komë për shkak të plagëve të marra nga arma e zjarrit, është edhe invalid i luftës.

“Bekimi është edhe invalid i luftës, është i plagosur në mushkëri e ka plumbin… Por tani gjendja e tij 99.9% është i dekt, 1% është i gjallë”, tha ai.

A.Muja 15-vjeç, u varros sot mes lotëve e dhimbjes së madhe në varrezat e fshatit Gradicë të Drenasit.

Ndërsa, të dyshuarit e vrasjes babë e bir Xhafer e Amir Bardhi, janë dorëzuar dje në polici dhe për ta Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Prokurori i rastit ka paraqitur kerkese per caktimin e mases se paraburgimit ndaj dy te dyshuarve, ne drejtim te veprave penale “Vrasja e rende” dhe “Mbajtja ne pronesi, kontroll ose posedim te paautorizuar te armeve””, ka konfirmuar prokuroria për Gazetën Express.

Se familjet nuk kanë pasur probleme në të kaluarën e kanë thënë edhe banorët e fshatit gjatë ditës së djeshme. Sipas tyre familjet i kanë mbajtë bashkë “drekë e dekë”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT