16 vjet pas ngjarjeve të cilat e ndryshuan atë, ajo vendosi të flasë para medieve për dhunimin që iu bë gjatë luftës nga forcat paramilitare serbe.
Ajo dëshiron të mbetet anonim, pasi për këtë ngjarje ende nuk i ka treguar familjarëve dhe bashkëshortit.
Në rrëfimin e saj, ajo tregon një nga situatat më të tmerrshme që i ka ndodhur, e cila ende e përndjek.
E reja thotë se, qëndroi dy javë e mbyllur nga frika se do të identifikohej, pas nismës së peticionit “Drejtësi për gratë e dhunuara”.
Arsyeja e saj për këtë frikë ishte se, “deklaratat e mia do t’i dëmtojnë shumë gra që kishin plagën e njëjtë”. Por, ajo më në fund vendosi të flasë para kamerës së RTV21.
“Ka ndodhur në 1999, kemi qenë refugjatë, na kanë ndalur paramilitarët. Ne kemi qenë afër 30 persona dhe na kanë mbajt në një shtëpi tre ditë. Kanë qenë paramilitarë me maska. Jemi munduar që ta mbrojmë njëra-tjetrën, por s’kemi pasur fuqi”, thotë ajo.
Kjo grua rrëfen se bashkëshorti i saj nuk di për rastin e përdhunimit, sepse ka frikë se do ta përzë nga shtëpia.
“Bashkëshorti nuk e di. Ne nuk kemi fuqi për të treguar të vërtetën që na ka ndodhur, sepse mendojmë se do të na largojnë nga shtëpia”.
“Gjëja më e vështirë për një femër është përdhunimi. Më mirë është vdekja. Ndihem e turpëruar, e pafuqishme për tërë jetën”, shprehet ajo.