Rrëfejnë bashkëshortet e ish-luftëtarëve të UÇK-së për sakrificat e tyre gjatë luftës

Me emocione dhe krenari, Xhyherja, Sala dhe Alketa rrëfejnë për Ekonomia Online ndjenjën e të qenurit bashkëshortja e një ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për përjetimet e tyre dhe për veprimtarinë e kontributin që ato kanë dhënë gjatë luftës.

Për ish-luftëtaren Xhyhere Maqkaj, të qenurit gruaja e dëshmorit Selver Maqkaj është krenari edhe pse dhimbja për humbjen e bashkëshortit është e madhe, por thotë se sakrifica e tij e motivon atë të ecë përpara.

Po ashtu me krenari rrëfen rrugëtimin me bashkëshortin e ish-luftëtarin, Ferat Shalën, që dha mund e djersë në front të luftës, pra bëhet fjalë për Sala Berisha-Shala, një ish e burgosur politike, veprimtare e shquar në luftë.E tjetra, Alketa Gashi-Shala, gruaja e ish-luftëtarit Faik Shala, që në moshë të re takon bashkëshortin, pa ditur fatin që jeta do e sillte në një drejtim krejt ndryshe, tregon sesi u mëson fëmijëve të saj për atdhe dashurinë duke marr shembull veprimtarinë e bashkëshortit të saj.

Secila me rrëfime ndryshe por shumë emocionuese.

Sala Shala tregon që nuk është se ka përjetuar ndonjë ndjenjë të veçantë kur Ferati është bashkangjitur në luftë sepse të dy kanë qenë bashkë në përgatitje për luftë, të burgosur politikë dhe bashkë të dy veprimtarë në luftë.

Nuk mund të them që e kam përjetuar ndonjë ndjenjë të veçantë, sepse Ferati është vet themelues i UCK-së, prandaj unë mund të them si jam ndjerë kur ai ka dal hapur publikisht si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jam ndjerë shumë mirë sepse deri në atë kohë është dashur që unë dhe Ferati bashkërisht t’i bëjmë përgatitjet për luftën.

Ne kemi qenë edhe veprimtarë të lëvizjes çlirimtare, kemi qenë edhe të burgosur politik dhe të përndjekur dhe është dashur deri në momentin kur ushtria ka dal hapur publikisht ne t’i mbajmë në një fshehtësi të rreptë të gjitha aktivitetet tona dhe lëvizjet.

Ai momenti kur ka dal publikisht për mua ka qenë shumë më i lehtë”, tha ajo. Brenga kryesore e saj ka qenë që nuk ka mundur të bashkëngjitet edhe ajo në frontin e luftës, sepse ka qenë me dy fëmijë të vegjël dhe shtatzënë.“Natyrisht që lufta nuk është e mirë për askënd, dhe askush nuk e dëshiron por neve na është imponuar lufta në Kosovë, dhe pasi kemi hy në atë fazë nuk kemi pasur mundësi me mendua për pasojat se çfarë do ndodh.

Normalisht ai shqetësimi është brenda teje, se shkoj po si do përfundojë dhe a do të kthehet më apo jo.

Shqetësim dhe brengë për mua ka qenë sepse nuk kam mundur me ju bashkëngjit aktivisht luftës bashkë me të sepse në atë kohë unë i kisha edhe dy fëmijë të vegjël, dhe isha shtatzënë dhe kjo situatë ma ka pamundësuar që të jem bashkë me Feratin dhe bashkëluftëtarë tjerë në vijat e frontit”, u shpreh zonja Berisha.

Mes emocioneve ajo tregon për dy historitë nga shumë të tilla që është ballafaquar gjatë luftës, dhe që me shumë dhimbje i kujton.“Do doja të ndalem te luftëtaret, se luftëtare kanë qenë të gjitha ato nëna dhe gra, dhe motra të cilat e kanë mbështetur luftën në forma të ndryshme, qoftë duke gatuar bukë ose duke pastruar rroba, qoftë duke kryer ndonjë shërbim të vogël, më kujtohet kur dilja dhe bleja bateri për me i mbajtur të informuar përmes radio-lidhjeve që kanë qenë të mundur në atë kohë.

ë kujtohet kanë ardhur shpesh në shtëpinë tonë, bashkëluftëtarë dhe emra të rëndësishëm dhe dua të ndaj një moment prekës, por më ka rastisur që të gatuaj dhe të lajë rroba për ata dhe në një moment më kujtohet kur kam marr rrobat e uniformën e tyre dhe i kam futur në ujë me i pastrua, kur ka dal gjaku përmbi aty jam ndjerë jo mirë dhe fakti që isha shtatzënë e aty u ndjeva e dobët dhe u luta o Zot inshallah këto rroba të shpuara nga plumbi dhe plot gjak, nuk i vesh Ferati”, tregon ajo.

“Moment tjetër që kurrë mos u ktheftë më lufta, është pjesa se si e përjetojnë fëmijët luftën. Na erdh momenti me dalë me familje tjera me u strehua në mal diku, dhe morëm gjërat më esenciale, dhe fëmijët e mi e mbushën një thes me lodra më kujtohet që aty në traktor dikush ia largoi sepse nuk kishte vend dhe ai ka qenë moment që e kam përjetuar shumë rëndë”, rrëfente tutje ajo.Historia për luftën dhe rrëfimi për të ka qenë synimi kryesor i Salës dhe Feratit për fëmijët e tyre, që mos të harrojnë të kaluarën e vendit dhe atë që kanë kaluar prindërit e tyre.

“Edhe ne vazhdimisht me fëmijët shpesh kemi rrëfyer gjëra nga lufta, dhe na ndodh që kur dalim bashkërisht me familje, nëpër pjesë të bukura të Kosovës, Ferati nuk mund të përmbahet pa treguar që këtu apo atje është zhvilluar një betejë dhe fëmijët janë rritur dhe edukuar me atë frymë të rrëfimeve tona”, shpjegon Shala.Të jesh grua e Feratit dhe njëherësh shokë është ndjenjë e mirë për të sepse ajo thotë që bashkë janë rritur dhe bashkë kanë nisur dhe vazhdojnë rrugëtimin e tyre.

“Është kënaqësi dhe mirë, por në fakt unë dhe Ferati jemi rritur bashkë në rrugëtimin për çlirimin e Kosovës. Ne jemi njohur shumë herët, kemi qenë edhe shokë të lëvizjes bashkërisht dhe kemi vazhduar më tutje deri sot, jemi bashkëpunëtorë dhe shokë të mirë”, deklaroi ajo.

Fjalët e fundit të rrëfimit të Salës janë që për çdo grua, nënë dhe motër dëshmorit u jemi shumë borxh si popull dhe që historia vet flet për to.“Atyre grave u kemi shumë borxh, si shtet e si shoqëri dhe mesazhi im është që të vazhdojnë të jenë krenare, ato gra të dëshmorëve dhe ato nëna e motra të dëshmorëve janë historia vetë ato janë heroinat e heshtura, dhe në duhet t’i bëjmë ato që të flasin dhe të shohin që kanë qenë krahu i djathtë i luftës dhe luftëtarëve”, përfundoi ajo.

E në anën tjetër, Alketa thotë që këtë rrëfim kishte menduar që ta bënte diku rreth moshës 60-vjeçare kur bashkë me Faikun të plaken, por që tashmë konsideron që takimi me Faikun ka qenë fat sado që në rrethana jo të mira janë takuar.“Me të thënë të drejtën këtë intervistë kam menduar me dhënë diku rreth moshës 60 vjeçare kur ne të plakemi dhe të kujtojmë̈ një gjë të bukur që na ka ndodhë të dyve. Unë takimin e Faikun e konsideroj fat sepse ndodh në vitin 2002, unë i kisha 16 vjeç, ai më njohu mua në skenë, unë isha duke e prezantuar një koncert për nder të festës së 28 nëntorit, pas atij koncerti na njoftoi Ilir Shaqiri, ishim një grup njerëzish që donin të takoheshin edhe aty na njoftoi, por seç ma la një shenjë, unë isha shumë e re, por më pëlqeu se ishte djalë i ri në atë kohë, ishte 10 vjet më i vjetër se unë. Por aty u njohëm aty ishte takimi i parë, pastaj nuk e pamë njëri-tjetrin përpos në protesta, ndërkohë unë e shihja në televizor, pastaj unë e vazhdova shkollën e mesme, pas përfundimit u takuam sërish në një manifestim në Tiranë, ku unë isha udhëheqëse e atij programi, prej aty filluan shkëndija e para, erdhi propozimi, nuk vonoj shumë u përgjigja dhe u bashkuam”, tha tregon Alketa.

Historitë dhe rrëfimet që Faiku m’i ka treguar për kyçjen e tij në luftë, për atë se çka ka përjetuar, janë rrëfime të vetës së parë, nga goja e tij por edhe nga goja e miqve të tij pasi ai është pak i rezervuar në shpalosjen e këtyre kujtimeve, por shumë kam dëgjuar prej familjarëve dhe miqve të tij, më tepër sesa nga ai vet. Nuk i pëlqen të flas shumë për atë periudhë kohore, sado që fëmijëve tanë tashmë ua transmeton një pjesë krenaria të atyre ditëve të vështira për të gjithë. dmth e kam njohur 3-4 vite pas përfundimit të luftës dhe nuk e kam njohur në luftë”, shprehet ajo.

Tutje ajo thotë që ka qenë në moshë të re kur e ka njohur Faikun, por që i ka bashkuar një copëz krenari, dhe atë krenari janë munduar që ta kultivojnë edhe tek fëmijët e tyre.“Unë kam qenë thash në moshë shumë të re kur e kam njohur dhe prej atëherë jemi bashkë, na ka bashkuar një copëz krenari që unë menjëherë e kam marrë si pjesë të krenarisë sime. Jam rritur në një familje që ka kultivuar këtë atdhe dashurinë pa rreshtuar, një familje që i ka kontribuar vazhdueshëm për çlirimin, pastaj u takova me njeriun që ka dhënë kontribut po ashtu, Faiku i ka tre familjarë të ngushtë dëshmorë të luftës së fundit, vetë është i prekur ka plagë dhe vazhdon të kullojë gjak. Por unë atë pjesë e kam cilësuar dhe vazhdoj ta cilësoj si pjesë të krenarisë sime. Shpesh herë e kam pyetur veten në qoftë se jam e denjë të jem jo vetëm gruaja e tij, por të arrij të ruaj atë moralin që e ka karakterizuar atë gjithmonë dhe që unë duhet ta transmetoj atë pjesën më të bukur të atyre ditëve. Ta japësh diçka për Kosovën është fat, Faiku e ka bërë këtë gjë dhe unë jam e lumtur që jam pjesë e asaj historia, jam e lumtur që fëmijët tanë nesër pasnesër do të kenë një baba që ka bërë për vendin e tij dhe kurrë pa pyetur se çka ka bërë vendi i tij për të”, u shpreh tutje ajo.

Aleta tregon që plot 17 vite me Faikun, dhe ka qenë e gatshme t’i qëndroj afër sepse sipas saj të jetosh me një plagë që e sheh dhe e prek përditë është e vështirë.

“U bënë 17 vjet bashkë me Faikun dhe unë gjithmonë i rri gati shpesh, ai është një natyrë më ndryshe sesa unë, ndoshta edhe ky kombinimi plus minus na ka bërë që të bashkëjetojmë deri tani, e konsideroj perfekt. Të jetosh me një plagë që e sheh dhe e prek përditë është e vështirë. Gënjen ai që thotë se nuk është e vështirë. Jam përballur shpesh me paragjykime të llojllojshme për motivacione të ndryshme, por unë e kam ditur çdo herë çka kam dashur në jetë. Unë edhe prindërve të mi ju kam treguar që ky është personi dhe ky është e ardhmja ime, dhe ata e kanë përqafuar këtë ide, duke e parë që në sytë e mi ka pasur lumturi, nuk kam shikuar as majtas as djathtas”, shprehet ajo

“Më vjen mirë që pas kaq vitesh nuk pendohem që kam vepruar me zemër, sepse kam ndjekur atë, pasi një si ai ka mundur të ma bëjë jetën më të lumtur, fëmijët tanë t’i edukoj në mënyrën më të mirë të mundshme, sado që s’ka qenë shumë prezent sepse puna e angazhimet por e bëjmë të pamundurën që të tre atyre t’u mbjellim dashuri, atdhe dashuri për çdo orë për çdo çast. Babi u tregon rrëfime personale ndonjëherë, mami mundohet që ato rrëfime t’ua praktikoj me ese të ndryshme , sepse Molosja është fëmija i pavarësisë, ka lindur në vitin që Kosova u bë shtet i pavarur, pastaj Foleja dy vite më vonë dhe Bardhi shtatë vite më vonë. Kështu që të tretë janë fëmijë që nuk e kujton se çka ka ndodhur, por përmes rrëfimeve tona ta e ndjenjë që Liria ka Emër, jo vetëm që ka emër por edhe mbiemër dhe emblemë dhe prindi i tyre është një prej aty që e ka përjetuar thellë në palcë”, deklaroi tutje ajo.

E krejt në fund por jo më pak e rëndësishme kemi rrëfimin e Xhyherës, gruaja e dëshmorit e Selver Maqkaj e cila rrëfen jetën pa të.“Unë jam gruaja e dëshmorit Selver Maqkaj, pjesa që kur kemi filluar në luftë ka qenë prej 89-tës, burrin që e kam pasur në aktivitete, madje në një̈ kohë ka kaluar në 98-tën e kanë kërkuar këtu policia ka shkuar në Itali dhe deri më 99-tën kur u dha kushtrimi ka ardhur prej Italisë dhe si fillim më 17 prill kemi shkuar bashkë, jemi veshur në Kukës me uniforma dytë për ushtarë, një ushtare më shumë për lirinë e Kosovës”, tha Maqkaj.

Maqkaj rrëfen që ka qenë pak e vështirë, që me ua kthyer shpinën fëmijëve.

“Kjo ka qenë pak e vështirë, kur ka ardhur burri dhe ka mendua për me shku, vetëm diçka i kam thënë që edhe unë jam shqiptare, dhe ai më ka thënë që nëse t’i nuk ke frikë për mua mirë se vjen, shkojmë bashkë. Në atë moment është shumë e vështirë të ua kthesh shpinën fëmijëve por kur kemi parë masakrimet e shqiptarëve, unë nuk i kam menduar fëmijët dhe kam thënë m’i ruan motra, edhe nëse vritem, mbështeten tek familja. Po edhe vonë vonë deri kur jam nisur për front, mua nuk më kanë lejuar do të thotë vetëm pesë javë kam qenë ushtare, është një komandant i Ushtrisë që sot e falënderoj e që në atë kohë e kam urryer, pse më ka kthyer mbrapa por që sot p’e di vlerën që fëmijët me të vërtetë kishin pasur nevojë për njërin prind”, theksoi tutje ajo.

Mes tjerash ajo tregon tmerrin që kanë përjetuar në familje, ku ua kanë djegur shtëpinë dhe kunatën e paralizuar.

“Përndryshe mua më 26 maj, ma kanë djegur kunatën, e kanë djegur shtëpinë dhe kunatën e paralizuar e kam pasur, dhe mandej më 31 maj m’u ka vra edhe burri”, tha Maqkaj.

Maqkaj tha që është e vështirë por krenari të jesh gruaja e një ish-luftëtari, dhe se krenaria e mbulon dhimbjen.“Është shumë vështirë, por edhe krenari, e krenaria e mbulon dhimbjen dhe të jep vullnet për me ecë përpara dhe me bë diçka për fëmijën e dëshmorit, kur e di vetën që jam gruaja e dëshmorit, jam shumë më krenare pa marrë parasysh dhimbja dhe barra e fëmijëve që është shumë e madhe, por falë Zotit dhe miqësisë ia kemi arritur qëllimit dhe i kam rritur fëmijët si krejt nënat e gratë e dëshmorëve”, u shpreh tutje Maqkaj.

Krejt në fund ajo tha që nuk ka notë më të madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe që ushtria për të është gjithçka.

“Nuk kam notë më të madhë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ajo për mua është gjithçka, gjithkush që ka dhënë sado pak djersë e mund Kosovës në atë uniformë i qoftë lavdi edhe pse janë gjallë, se edhe i gjalli meriton me pasë lavdi, por dëshmorët kanë pikën e parë të lavdisë”, rrëfeu ajo mes emocioneve.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT