Gjatë ditës së djeshme katër zyrtarë policor të Kosovës kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas sulmeve që u janë bërë nga qytetarë të ndryshëm, disa nga këta të fundit nën ndikim të alkoolit, shkruan Gazeta Metro.

Policët gjatë ndërhyrjes së tyre në ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend janë sulmuar nga disa persona. Rastet kanë ndodhur, dy në rajonin e Prishtinës, një në Ferizaj dhe një Mitrovicë.

Më poshtë Metro ju sjellë raportin për rastet e lartcekura:

“Rr. Qemajl Stafa”, Prishtinë 01.06.2021 – 22:30.

Është arrestuar i dyshuar mashkull kosovar, pasi që ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, ndërsa gjatë kontrollit në automjetin tij i janë gjetur dhe sekuestruar tre radiolidhje, tre telefona celular, disa kartela të bankës dhe një qelës veture. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

“Rr. Avdi Kelemendi”, Prishtinë 02.06.2021 – 00:12.

Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht zyrtarët policor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Fsh. Komoglavë, Ferizaj 02.06.2021 – 06:50.

Raportohet se gjatë arrestimit të dyshuarit mashkull kosovar, i njëjti ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Viktimat dhe i dyshuari kanë pranuar tretman mjekësor. Pasi që i dyshuari kishte urdhër arrest, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.

“Rr. Emin Duraku”, Mitrovicë 02.06.2021 – 20:20.

Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në gjendje të dehur dhe pa patentë shofer ishte duke vozitur automjetin. I dyshuari kishte sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, ku një zyrtar policor viktima mashkull kosovar ka pranuar tretman mjekësor. Në automjetin e të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një fishek dhe një qese me substancë të dyshuar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari do të mbahet në ndalim policor deri në këndellje e më pas të intervistohet.