Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të dielën mbrëma u aksidentua me veturën e tij derisa po shkonte në Tiranë për të marrë pjesë në festën e organizuar pas fitores në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ky aksident edhe pse ishte fatmirësisht pa pasoja në njerëz dhe me dëme tejet të vogla materiale, bëri që të ngritet shqetësimi rreth sigurisë së liderëve në vend.

Elez Nikqi – Mbrojtje e afërt i ish- presidentit Ibrahim Rugova dhe Ridvan Tahiri – që ishte mbrojtje e afërt i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, kanë deklaruar se institucionet e sigurisë e kanë obligim të sigurojnë mbrojtje të afërt për krerët e shtetit, presidentin, kryeministrin e kryekuvendarin, deshtën apo jo ata.

Elez Nikqi , ish-mbrojtje e afërt e ish-presidenti të ndjerë Rugova ka thënë se Policia e Kosovës, konkretisht Njësiti për Mbrojtje të afërt e ka për detyrë të siguron mbrojtje për liderët, duan apo jo ata.

“Policia e Kosovës e ka rregulloren e caktuar me ligj, në momentin që bëhet lider e jep betimin si kryministër, e ka përgjegjësinë udhëheqësi i Divizionit për mbrojtje të afërt i Policisë së Kosovës. Nuk e vet kush është Albin Kurti, se nuk i intereson emri, por vetëm posti. A është Vjosa, është Albini, a është Kadriu nuk pyet për emër është protokol shtetëror i sigurisë”, ka deklaruar Nikqi për Klan Kosova, shkruan Reporteri.net

Edhe Ridvan Tahiri, që ishte mbrojtje e afërt i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli ka deklaruar se vendos protokoli i sigurise shtetërore.

“Të ofron siguri, nuk pyet hiç”, ka thënë ai.