Riza Smaka: Demarkacioni me Malin e Zi mund të rinegociohet

Ndonëse shteti malazez zyrtarisht e sheh të mbyllur marrëveshjen e kufirit me Kosovën, pala kosovare ende sheh mundësi shqyrtimi e ndryshimi të kësaj çështjeje.

Ministri malazez, Srgjan Darmanoviq ka deklaruar ditë më parë se çdo gjë rreth kufirit tashmë ka përfunduar.

“Sa i përket arbitrazhit eventual ndërkombëtar, për arbitrazh duhet pajtimi i dy palëve, e unë u kam thënë se ne këtë punë e kemi kryer”, ka thënë Darmanoviq.

Por profesori i së drejtës kushtetuese, Riza Smaka deklaroi për Tribuna Channel se ish – Komisioni për Shenjimin e Kufirit ka bërë punë jashtë kompetencave të tij.

Ai beson se arbitrazhi nuk do ta gjykonte negativisht rastin e Kosovës, për arsye se nuk e ka asnjë argument kundër saj.

E, avokati Adrian Gjoshi tha se nëse Kosova do të ratifikonte një përmbajtje tjetër të demarkacionit dhe Mali i Zi nuk do të pajtohej me përmbajtjen e ndryshuar, atëherë zyrtarisht dhe juridikisht do të ekzistonte problemi i territoreve Kosovë -Mal i Zi.

Qeveria e Kosovës vazhdon të ketë dy qëndrime të ndryshme për këtë çështje

Përderisa kryeministrit Ramush Haradinaj thotë se marrëveshja e demarkacionit nuk do të ratifikohet ashtu siç është nënshkruar në vitin 2015, ndryshe mendon ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, i cili në mbledhjen e komisionit për Punë të Jashtme tha se për Malin e Zi, demarkacioni është punë e kryer dhe e panegociueshme.