Rigjykohet i Akuzuari për Vrasjen e Djalit të Vëllait

Abaz Ahmeti i akuzuari për vrasjen e djalit të vëllait po rigjykohet në Gjakovë.

Në Gjykatën e Gjakovës nisi rigjykimi i Abaz Ahmetit, të akuzuarit për vrasjen e Ali Ahmetit.

Abaz Ahmeti e kishte djalë të vëllait tash të ndjerin Ali Ahmeti, ndërsa sipas aktakuzës së lexuar nga prokurori Afrim Shefkiu vrasjes i ka papaprirë një zënkë mes të akuzuarit dhe viktimës.

Në aktakuzë shpjegohet se vrasja e Ali Ahmetit ndodhi në shtëpinë e të akuzuarit Abaz Ahmeti.

“I akuzuari Abaz i ka thënë Aliut që të mos vish më këtu [në shtëpinë e Abazit], as për mirë e as për keq dhe pas përleshjes në mes tyre i akuzuari Abaz nga brezi ka nxjerrë pistoletën e tipit ‘Beretto’ dhe ka shtënë 4 herë në drejtim të të ndjerit Ali Ahmeti,”lexoi aktakuzën prokurori Shefkiu.

Ai tregoi se këto plagë shkaktuan vdekjen e e Ali Ahmetit.

“Shkaku i vdekjes së të ndjerit Ali Ahmeti ka ardhur si rezultat i veprimit dinamik të predhës, pasojë e goditjes së armës së zjarrit në kraharor me ç’rast janë dëmtuar organet vitale në kraharor. Me këtë ka kryer vepër penale-vrasje,” thuhet në aktakuzë.

Përleshja dhe më pas vrasja e Ali Ahmetit sipas aktakuzës ndodhi më 16 dhjetor 2013 për arsyen se djali i tij kishte shkuar në varrimin e një personi me djalin e të cilit familja Ahmeti kishte raporte të këqija.

Pas leximit të aktakuzës i akuzuari Abaz Ahmeti u pyet nga gjyqtari Nikollë Komani në lidhje me fajësinë e pafajësinë.

“Nuk e pranoj fajin,” tha i akuzuari Abaz Ahmeti.

Më pas dëshmuan eksperti i balistikës Lutfi Raci, vëllai i viktimës Gani Ahmeti dhe Bajram Ahmeti, djali i të akuzuarit.

Gjykata Themelore në Gjakovë për vrasjen e Ali Ahmetit e kishte dënuar Abaz Ahmetin me 12 vjet e gjashtë muaj burg, por Gjykata Supreme rastin e ktheu në rigjykim dhe rivendosje.

 

- Advertisement -

MË TË FUNDIT