Rexhep Qosja: Kultura mund ta përmirësojë imazhin e shqiptarëve

Për dy ditë me radhë, në datat 8 dhe 9 qershor 2015 u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Prishtinë, “Drini poetik”, i cili për këtë vit shënon edicionin e gjashtë, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. E para që mori fjalën në këtë eveniment letrar, më i rëndësishmi gjatë vitit në Kosovë, ishte deputetja dhe kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, poetja Dr. Flora Brovina. Në ambientet e brendshme të Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, para mbajtjes së fjalimit të saj, kërkoi nga të pranishmit që me një minutë heshtje të nderoheshin disa prej kolegëve të tyre, të cilët nuk jetojnë më.

Mes të tjerash, Flora Brovina citoi se festivali i poezisë “Drini poetik”, i cili shënon vitin e gjashtë të tij, nuk e ndërron fizionominë, mirëpo ai shndërrohet në një traditë për të gjashtën herë me radhë. Sivjet ky manifestim organizohet në shenjë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kështu që poetët patën mundësinë që punimet e tyre t’i lexonin në tri mjedise, të cilat në simbolikë bashkojnë tokat shqiptare: Prizren, Prishtinë dhe Kukës. Prezantimi në Prizren, i cili është simbol i Lidhjes Shqiptare dhe vazhdimi në Kukës, krijon shpresën që në një të ardhme të zgjerohet ky bashkëpunim edhe me qytetet dhe vendet e tjera ku shkruhet dhe flitet shqip.

Shkrimtarët patën mundësi të lexojnë para të pranishmëve temat e krijuara, por pati edhe emra, të cilët dolën për herë të parë me poezitë e tyre. E veçanta e festivalit të sivjetëm, sipas Brovinës, ishte pjesëmarrja e gjerë nga të gjitha trojet shqiptare dhe prania e krijuesve tëhuaj, si dhe interesimi i tyre për këtë eveniment. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë hapi siparin me sesionin letrar me temën “Statusi i shkrimtarit sot”, ku nga juria profesionale ishin përzgjedhur 7 kumtues për të referuar.

I pari që e mori fjalën ishte akademik Rexhep Qosja, Nder i Kombit. Akademik Qosja, pos të tjerash, veçoi se kohëve të fundit, sipas statistikave, ka rënë dukshëm numri i lexuesve e si pasojë ka rënë edhe trajtimi i shkrimtarëve. Ai gjithashtu përmendi faktin që mjetet që dhurohen për kulturë në vendin tonë janë më të paktat në rajon. Sipas Qosjes, një numër i madh i shkrimtarëve paguajnë vetë për botime të veprave e ky fakt, sipas tij, nuk kishte ndodhur dikur. Para të pranishmëve të shumtë, ai kujtoi vendosjen e bustit, siç e quajti ai të “babait të kombit tonë” Ismail Qemalit. Ai tha se në këtë manifestim të rëndësishëm nuk kishte parë asnjë intelektual, kishte politikanë, mirëpo asnjë shkrimtar nuk ishte i pranishëm. Ai tha se sa e sa vargje e sa e sa shkrime i janë kushtuar Ismail Qemalit nga shkrimtarët e poetët.

“Ne sot flasim për një përfytyrim jo të mirë të shqiptarëve në Evropë dhe në botë, përdorim atëfjalën imazh, imazhi i shqiptarëve nuk është i mirë në botë. Mirëpo, si do ta përmirësojmë ne, me çka do ta përmirësojmë këtë mendim për shqiptarët. Ekonomi s’kemi bërë që të ndikojmë dhe nuk do të kemi gjasë në asnjë lëmi, e tëra që mund të bëjmë është letërsia, kinematografia, muzika, piktura, skulptura, arkitektura… unë dua t’ju them se ambasadat e disa prej shteteve të ish-Jugosllavisë botojnë revista letrare dhe kulturore në Evropë. Pra, ambasada boton revista letrare dhe kulturore në përgjithësi.

Unë nuk di roman në Kosovë që është përkthyer me mjete të ministrive të Kulturës apo të Arsimit dhe Shkencës. Atëherë, si do ta përmirësojmë ne imazhin, me politikë jo, me ekonomi jo, ne mund ta përmirësojmë vetëm me krijimtari kulturore, pasiqë letërsia, kinematografia, muzika, arti në përgjithësi është mjet diplomatik”, tha ndër të tjera akademiku Rexhep Qosja. Ai ka përshëndetur shkrimtarin Adem Demaçi, i cili nuk gjendej në këtë festival për shkaqe shëndetësore dhe, duke thënë se fjala e Demaçit për të drejtën dhe të vërtetën, ka qenë gjithnjë frymëzuese për të gjithë. “Trajtimi i shkrimtarit sot nuk është i mirë.

Shkrimtari në përgjithësi është i shpërfillur. Pozita e tij shoqërore dhe institucionale nuk është përkatëse me punën dhe rëndësinë e punës që bën ai”, ka theksuar akademik Qosja, duke treguar se letërsia nuk e ka më rëndësinë shoqërore, kulturore e kombëtare që kishte dikur. Ndërkohë lidhur me çmimet e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Drini Poetik” u shpërndanë tri çmime: “Metafora 1”, ”Metafora 2”, “Metafora 3”, një komplet veprash e revistash të Institutit Albanologjik dhe kompleti i veprave të Adem Demaçit. Çmimin “Metafora 1” juria ia dha poetit Arben Rashkaj, “Metafora 2”, poetes Zana Pira dhe “Metafora 3” poetit nga Shkodra, Bledar Tafaj, kurse me komplete veprash u shpërblyen poeti arbëresh nga Zara e Kroacisë, Tomislav Bilosniç, Skënder Temali, Nikolla Spathari dhe Ibrahim Skënderi.

Prizren

Më 9 qershor festivali u zhvendos në Prizren, në ndërtesën e vogël të Lidhjes së Prizrenit. Në orët e mesditës u mbajt ora e dytë letrare te sheshi “Ora e Lidhjes” e më pastaj në ambientet e universitetit “Ukshin Hoti” u përurua libri “Shqiptarët Ortodoksë të Maqedonisë” i autorit Branko Sinadinovski, ordodoks shqiptar në Maqedoni, i cili tërhoqi vëmendjen e auditorit, duke qenë studimi i vetëm i kësaj teme për shqiptarët. Festivali pati bashkërendës poetë nga të gjitha trevat shqiptare, duke filluar nga Prizreni, Prishtina, Tirana, Peja, Shkodra, Durrësi, Gjakova, Gjilani, Klina, Tropoja e deri në Vlorë. E veçanta e këtij edicioni ishte edhe pjesëmarrja e poetit arbëresh nga Kroacia Tomislav Bilosniç, i cili para të pranishmëve ka debutuar me deklarimin e poezive të tij

Statusi i shkrimtarit varet nga veprimtaria e tij

Gjatë çasteve të lira të veprimtarisë, mes bisedash miqësore, Rexhep Qosja vuri theksin te rëndësia e aktivitetit që zhvillohet në kuadër të 10 qershorit, 137-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Ndërkohë, studiuesi Prof. Dr. Isak Shema theksoi se shkrimtarët janë thesari i shoqërisë, duke e cilësuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm. “Arti ndryshon, evoluohet. Si i tillë, arti duhet të zërë një vend tjetër sot, më të mirë dhe këtë e sigurojnë para së gjithash shkrimtarët.

Për ndryshimin e këtij statusi dhe të kësaj gjendjeje, për sa i përket krijimtarisë letrare janë përgjegjës vetë shkrimtarët dhe veçanërisht në një rrethanë paradoksale në mes të asaj se si krijojnë shkrimtarët dhe se si i realizojnë veprat e tyre, se si botojnë dhe cila është vlera e tyre. Dhe tani, sigurisht që përgjegjësia tjetër është e studimeve të letërsisë, e kritikës letrare, kritikës shkencore, e cila edhe në rrethana të krizave shoqërore, politike e kulturore, morale, në rrethana kur kriteret për vlerësim destabilizohen, atëherë ky mendim kritik, fuqia e tij duhet të jetë ajo që në njëfarë mënyre e artikulon atë që është karakteristike dhe e vlefshme për këtë problematikë. Rritja e nivelit të kulturës gjuhësore, të kulturës letrare dhe të kulturës së leximit, këto tri tema janë shumë të mëdha dhe përcaktojnë thuajse këtë përgjegjësi, përgjegjësinë e statusit të shkrimtarit sot.

Sepse statusi i shkrimtarit sot nuk është abstrakt, statusi i shkrimtarit varet nga shkrimtarët në mënyrë të veçantë nga aktiviteti i tyre”, tha më tej në kumtesën e tij, Prof. Dr. Shema. Edhe poetja nga Tirana, Mimoza Erebara, dha mendimin e saj lidhur me temën “Statusi i shkrimtarit sot”. “Do të jap një mendim timin lidhur me këtë temë që mua m’u duk tepër interesante. Gjithsecili prej nesh është i ndërgjegjshëm, ndonëse kemi një angazhim të përbashkët ne, sot, ndaj letërsisë. Letërsia dhe arti në përgjithësi e ndien atë që mund ta quajmë një besëlidhje në mes të shkrimtarëve, por edhe krijuesit dhe lexuesit. Operatorët e komunikimit në këtë rast janë të drejtpërdrejtë dhe filtrohen vetëm prej shpirtit. Intensiteti me të cilin godet kjo besëlidhje, pikërisht në shpirtin lexuesit, e bën këtë të fundit mjaft të interesuar kundrejt librit, kundrejt letërsisë. Ky është momenti magjik kur një lexues, pasi ka mbërritur etiken dhe artistiken, sjell mendimin edhe në mekanizma të tjerë vetjakë ku, pa dyshim, arsyeja zë kreun e radhës”.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT