Një anëtar i familjes i ka thënë Gazetës Express se Remzije Mustafa, e zhdukur për më shumë se një javë, është gjetur para pak çastesh.

Familjari i Mustafës tregon se ajo është gjetur afër banesës dhe është mirë me shëndet.

“Është gjetur shëndoshë e mirë. Është parë duke ardhur në banesë, këtu afër Bregut të Diellit. Dikush e ka pa dhe e ka sjellë në banesë”, ka thënë familjari i Mustafës.

Ky familjar thotë se ajo ka ardhur në gjendje të mirë, por akoma nuk e dinë se ku ka qëndruar.

“Sapo ka ardhur. Tash këtu është edhe policia. Nuk e kemi pyetur akoma se ku ka qëndruar sepse nuk duam ta traumatizojmë”, ka thënë ai për Express.

Se ajo u gjet e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë, Bajram Kransiqi, ka thënë për Gazetën Express se është gjetur një grua që dyshohet se është e zhdukura prej ditësh.

“Policia në ora 20:36, në një shtëpi të pabanuar në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë ka gjetur një grua që dyshohet të jetë Remzije Mustafa. Policia është në vendin e ngjarjes, aty është ftuar emergjenca dhe familjarët e së zhdukurës. Policia falënderon qytetarët për bashkëpunim”, ka konfirmuar Bajram Krasniqi.

Familjarët po e kërkonin Mustafën prej 8 ditësh ndërsa për kërkimin e saj ishin angazhuar edhe shumë qytetarë të Prishtinës. /Express/