Rekord shqiptarësh në Kampionatin Evropian

Vëllezërit Valon e Veton Berisha kanë dështuar që me Norvegjinë të kualifikohen në “Euro 2016”. Norvegjia në barazh për kampionatin evropian të futbollit u eliminua nga Hungaria. Por me gjithë mbetjen jashtë të vëllezërve Berisha, futbollistë shqiptarë pritet të ketë më së shumti në kampionatin që mbahet në Francë, prej 10 qershorit deri më 10 korrik të vitit tjetër.

Në “Euro 2016” pritet të jenë të paktën 30 futbollistë shqiptarë. Ky numër i madh i lojtarëve do të bëhet i mundur për shkak të kualifikimit të Kombëtares së Shqipërisë, që për herë të parë do të marrë pjesë në një ngjarje të madhe futbolli, shkruan sot Koha Ditore.

Shqipëria në Francë do të dërgojë 23 futbollistë shqiptarë. Të paktën gjashtë shqiptarë pritet të luajnë për Zvicrën, nga një për Gjermaninë e Belgjikën, ndërsa një mund të jetë edhe me Danimarkën, nëse kjo përfaqësuese kualifikohet sot.

Në Evropian do të paraqiten 24 përfaqësuese të futbollit nga kontinenti i vjetër. 22 përfaqësuese dihen tashmë, ndërsa dy të fundit përcaktohen të martën (sot) kur luhen dy ndeshjet e fundit të barazhit.

Shqipëria është në mesin e përfaqësueseve që llogarit vetëm në lojtarë të saj, përkatësisht në lojtarë shqiptarë. Nuk ka lojtarë të nacionaliteteve të tjera. Në fakt Shqipëria ka shumicën e lojtarëve të rritur jashtë saj, në vende evropiane. Por që të gjithë janë shqiptarë dhe kanë prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës.

Te Zvicra lojtarët bazë janë shqiptarët: Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi e Pajtim Kasami. Të gjithë këta pritet të ftohen për evropian.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT