Rekord infektimesh në Gjermani, në disa qytete ashpërsim masash

Gjermania ka regjistruar më shumë se 50.000 raste me koronavirus në një ditë, numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë.

Sipas Institutit të Mbikëqyrjes Shëndetësore Robert Koch, ka pasur 50.196 raste shtesë me COVID-19 në 24 orët e fundit dhe 235 vdekje.

Gjermania është në mesin e një numri vendesh evropiane që përballen me një rritje të re të rasteve dhe ka regjistruar numër rekord të infeksioneve gjatë ditëve të fundit.

Kancelarja në largim Angela Merkel e quajti ‘rigjallërimin’ e infeksioneve në vend dramatike.

“Pandemia po përhapet sërish në mënyrë dramatike”, tha zëdhënësi i saj, duke u bërë thirrje autoriteteve shëndetësore rajonale të marrin masa të mëtejshme për të përmirësuar situatën.

Përhapja i atribuohet pjesërisht shkallës relativisht të ulët të vaksinimit të popullsisë në Gjermani, në pak më shumë se 67 përqind. Nga e hëna, Berlini do të ndalojë personat e pavaksinuar në restorantet pa tarraca, bare, palestra dhe parukeri.

Një test negativ nuk do të lejojë më akses në këto vende publike nëse përdoruesit nuk janë të vaksinuar ose nuk mund të provojnë se janë shëruar nga sëmundja.

Në total, pothuajse 4.9 milionë njerëz janë infektuar në Gjermani që nga fillimi i pandemisë.