Jakup Sabedini, humanisti dhe veprimtari i PDK-së në Ferizaj, pretendon se është sulmuar nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku i njëjti ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe më pas i është ofruar edhe shërbim urgjent mjekësor.

Këtë sulm që iu bë për Indeksonline e konfirmoi edhe vet Sabedini, por që nuk dha detaje se si ka ndodhur.

“Nuk dua ta komentoi sepse organet përgjegjëse po merren me rastin dhe janë duke u kryer hetime. Por, vetëm se rasti ka ndodhur të shtunën në mbrëmje, ndërsa kjo erdhi si pasojë e asaj se unë vazhdimisht kam marrë kërcënime nga personat që e kanë kryer atë”, tha ai.

Ndërsa, Enver Haliti, Nënkryetar i parë i Qendrës së LVV-së në Ferizaj, tha për Indeksonline se nuk kanë asnjë informacion me këtë incident, madje i njëjti nuk beson se këtë e kanë kryer aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë veç sa u njoftova prej portaleve për këtë sulm, sot jemi në ditën e martë, pretendohet se sulmi ka ndodhë në ditën e shtunë, ne s’kemi pas asnjë informatë dhe vetëm është thënë që aktivistë e Vetëvendosjes mirëpo nuk është përmend asnjë emër çka se dyshoj në vërtetësinë e këtij lajmi. Ne si qendër e VV-së nuk kemi pas asnjë informatë që ka ndodhë ndonjë sulm i llojit të tillë dhe presim nga organet gjegjëse që ta zbulojnë rastin dhe kushdo që e ka kryer këtë sulm unë besoj se do ta merr dënimin e meritum. Mirëpo ne nuk besojmë në këtë lajm sepse sot jemi në ditën e martë dhe kanë kaluar katër ditë prej se ka ndodhë ky rast sipas këtyre portaleve dhe deri më sot nuk ka pas asnjë reagim”.

Haliti shton tutje se personalisht e njeh Jakupin dhe kanë shumë shoqëri shumë të mirë dhe se ndjen keqardhje, mirëpo nuk dëshiron të besojë që ai është sulmuar nga  aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Asnjë informacion, s’është kontaktu askush nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje nga policia dhe askush dhe unë u shokova kur e pashë lajmin, por le të vërtetohet e vërteta se deri më tani nuk kemi pas informatën as më të vogël”.

Ndryshe, në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Kryesia e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, derisa ata kanë dënuar fuqishëm këtë akt të dhunës të cilën e quajnë të motivuar politikisht dhe fton organet e drejtësisë dhe ato të sigurisë ta ndriçojnë këtë rast dhe të mbajnë përgjegjës kryesit deri në dënimin meritor.