Reagon Vetëvendosje ndaj Kadri Veselit

    Lëvizja Vetëvendosje, përmes një reagimi ka thënë se Kadri Veseli sot ka dhënë urdhër që deputetëve të opozitës të mos u lejohet mbajtja e një konference për medie në sallat e Kuvendit.

    Në reagim thuhet se Veseli dha urdhër që të mos lejohet futja në Kuvend e dokumenteve që përmbanin mbi 200,000 nënshkrimet e qytetarëve kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe demarkacionit me Malin e Zi, transmeton Koha.net.

    “Megjithatë, drejtuesit e subjekteve opozitare, nuk u ndalën para urdhrave të Veselit dhe u futën brenda pa lejen e sigurimit dhe po ashtu i futën brenda edhe nënshkrimet e qytetarëve. Konferenca u mbajt pa lejen e Veselit dhe aty u prezantuan ato nënshkrime para medieve”, thuhet në komunikatë.

    Liderët opozitarë kanë thënë se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk e do opozitën brenda Kuvendit, e as nënshkrimet e qytetarëve që shprehën pakënaqësitë me marrëveshjet e qeverisë.

    “Kadri Veseli nuk e do opozitën brenda Kuvendit. Kadri Veseli nuk i do as nënshkrimet e qytetarëve që shprehën pakënaqësinë e tyre me marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi. Opozita dhe peticioni i qytetarëve i pengojnë Kadri Veselit sepse ia kujtojnë atij se sa në shpërputhje janë vendimet e këtij pushteti me vullnetin e qytetarëve. Por, Kadri Veseli është i pafuqishëm përballë këtij vullneti”, është thënë në konferencën për medie të opozitës.