Partia Demokratike e Kosovës dega në Skenderaj ka reaguar pasi është hera e tretë sipas tyre që janë dënuar nga Policia e Kosovës për takimet me qytetarë, anipse këto takime po mbahen në ambiente të jashtme. Mirëpo sipas tyre Policia e Kosovës në Skenderaj nuk po shqipton dënime për partitë tjera politike në Skenderaj, të cilat po mbajnë takime në të njëjtën mënyrë. Sipas PDK-së këto janë standarde të dyfishta.

Më poshtë ju sjellim reagimin e plotë të degës së PDK-së në Skenderaj

Partia Demokratike e Kosovës
Dega në Skenderaj
Reagim
Dega e PDK-së në Skenderaj njofton opinionin publik se në të gjitha aktivitetet publike parazgjedhore është duke i respektuar masat për mbrojtje nga infeksioni me COVID-19.
Edhe pse interesimi i qytetarëve për të marrë pjesë në takime është shumë i madh, ne kemi kërkuar dhe kemi aplikuar në vazhdimësi pjesëmarrje të kufizuar, duke respektuar distancën dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse.
Për të shmangur rrezikun nga infeksioni të gjitha takimet po mbahen më ambient të hapur dhe duke ruajtur distancën e nevojshme.
Me gjithë këto veprime të ndërmarra, qasja e policisë me PDK-në në Skenderaj po manifestohet me standarde të dyfishta dhe selektive krahasuar me subjekte tjera politike.
I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera kompetente e të pavaruara të mos bien pre e presioneve politike, por të punojnë të pavarur në zbatimin e ligjit.