Që nga fillimi i qeverisjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, Liburn Aliu si Drejtor i Urbanizmit dhe ekipi dretjues në Prishtinë janë ballafaquar me luftimin e kaosit të ndërtimit dhe grupeve të ndryshme të interesit që i kanë shkaktuar dëme marramendese kryeqytetit të Republikës tonë.
Gjatë kësaj periudhe Liburni dhe drejtorët e tjerë janë ballafaquar me grupe të interesit, individë të lidhur ngushtë me krimin, me kanosje e deri te ballafaqimi direkt me strukturat e trashëguara në Komunë prej 14 viteve qeverisje që e solli deri te kjo gjendje urbanistikën në Prishtinë.
Nga ana jonë janë denoncuar dhjetëra raste kriminela, janë nisur dhjetëra raste disiplinore e deri te pezullimet dhe revokimet e lejeve të dhëna jashtë çdo norme ligjore. Megjithatë, Prokuroria e shtetit ende nuk e ka lëshuar as edhe masën më të lehtë për shkelësit e ligjit në Komunën e Prishtinës.
Liburni është bërë pengesë për grupet kriminale. Ai është sulmuar në të gjitha mënyrat me tentimin që të nisin ndonjë rast ndaj tij. Në Kuvend është shpifur në të gjitha mënyrat kundër Drejtorit të Urbanizmit. Sulmet e tilla arritën kulminacionin sot me akuzat e Muhamet Selmanajt asambleist i PDK-së i cili në tri mbledhje me radhë provokoi në të gjitha anët për iniciuar ndonjë incident.
Fatkeqësisht, drejtori Aliu sot ishte i inkuadruar në një incident që erdhi si pasojë e tensionimit të situatës në sallën e Kuvendit dhe shpifjeve të Selmanajt. Për këtë Komuna e Prishtinës shpreh keqardhje.
Por ndërsa të gjithë prisnim që rasti do të sqarohej në polici dhe nga organet e rendit, Liburn Aliu u arrestua nga Policia me urdhër të Prokurorisë për gjoja kanosje dhe lëndime trupore.
Në restoranin Liburnia ku dhe ka ndodhur incidenti kishte shumë dëshmitarë si dhe Asambleisti i PDK-së Selmanaj doli rreth pesë herë në televizion gjatë ditës së sotme dhe nuk kishte as lëndime as ndonje shqetësim tjetër. Megjithatë gjatë mbrëmjes u inkuadruan edhe Prokurorë të tjerë që të sigurohej një arrestim dhe mbajtje për Liburnin.
Përderisa Drejtori Liburn Aliu qe i gatshëm të përgjigjet për veprimet e ndërmarra sot, mbajtja në ndalim 48 orë është arbitrare, e panevojshme dhe e paprunueshme nga ana e Prokurorisë, e cila ende nuk ka vepruar rreth qindra rasteve të rënda të ndodhura në Komunën tonë shumica prej të denoncuar nga vetë Drejtori Aliu.
Gjithsesi skenare të tilla nuk e zmbrapsin qeverisjen në Prishtinë nga luftimi i krimit, korrupsionit, grupeve kriminale që për vite të tëra kanë shkatërruar dhe zhvatur qytetin dhe qytetarin.
- Advertisement -