Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që ka vendosur kundër ankesave të subjekteve politike, lidhur me mos certifikimin e kandidatëve të tyre që kanë probleme me ligjin, shkruan Gazeta Blic.

Haradinaj në Facebook ka shkruar se është i shqetësuar me vendimin e PZAP-së, për çka thekson se AAK-ja do t’i drejtohet Supremes.

Postimi i plotë:

Me gjithë përkushtimin e Aleancës që të respektojë procesin e certifikimit të kandidatëve, sot jam i shqetësuar me shpërfilljen e skajshme, që PZAP i ka bërë fakteve në rastin e Dr. Shemsedin Dreshajt.

Vërejtja gjyqësore që Dr. Dreshaj ka marrë para 3 viteve është konsumuar me 16.01.2021 përderisa afati i dorëzimit të listave është përmbyllur me 18.01.2021 dhe KQZ morri vendim që afati 3 vjeçar të përcaktohet me datë të certifikimit. Megjithë konsumimit tre vjeçar të përcaktuar me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe Vendimit të KQZ-së për lidhjen e afatit me certifikim, PZAP ka shkelur në mënyrë flagrante Vendimin e Kushtetueses, Vendimin e KQZ-së dhe të drejtën themelore për kandidim.

Aleanca do t’i drejtohet Supremes për rastin e Dr. Dreshaj dhe mbesim me besim të plotë që ky vendim i padrejtë i PZAP do të hidhet poshtë.

Tendencat për qasje selektive edhe kur respektohen institucionet siç ndodhi sot me zëvendësimin e tre kandidatëve që bëri Aleanca, shpërfaq një orkestrim për dëmtim të demokracisë dhe sundimit të ligjit.